Shpallet fajtor Drenicasi që pranoi se ka shtënë me armë për të frikësuar familjarët e tij

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, e ka dënuar me 10 muaj burgim me kusht të akuzuarin për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, F.M.
Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, dënimi ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
F.M u shpall fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohej, pasi paraprakisht pranoi fajësinë.
Ai deklaroi se ndjehet keq për rastin që ka ndodhur, me ç’rast i premtoi gjykatës se nuk do të përsëris veprime të tilla në të ardhmen.
Me rastin e vendosjes, gjyqtari Mentor Hajraj deklaroi se ka marrë për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit, duke përfshirë edhe pranimin e fajësisë në mënyrë vullnetare nga ai.
Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar as prokurori Sahit Tmava, i cili tha se një veprim i tillë gjen mbështetje në provat materiale.
Pasi i akuzuari F.M u deklarua fajtor, mbrojtësi i tij, avokati Osman Haliti ka kërkuar nga gjykata që ndaj klientit të tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, duke marrë parasysh edhe faktin se i njëjti që nga fillimi i hetimeve kishte shprehur keqardhje, dhe se me rastin e pranimit të fajësisë nuk ka krijuar shkaqe për vazhdim të procedurës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të këtij viti, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, F.M akuzohet se më 27 gusht 2018, rreth orës 9:00, gjatë grindjes me familjarët e tij, për ta frikësuar familjen ka përdorë armën në kundërshtim me dizpozitat ligjore në fuqi.
Duke u bazuar në aktin akuzues, revolen e llojit TT-M-57, së bashku me tetë plumba të kalibrit 7.62 mm, dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe një karrikator, i akuzuari e kishte pasur në shtëpi, e të cilën thuhet se e ka poseduar në kundërshtim me ligjin për armët, pasi për të njëjtën nuk ka pasur leje.
Në aktakuzë thuhet se gjatë grindjes, për ta frikësuar familjen e tij, ka shtënë nga arma e lartcekur dy herë në ajër, me ç’rast familja e ka lajmëruar në polici, ku këta të fundit kanë sekuestruar armën.
Me këtë veprim, F.M akuzohet ka kryer veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi