Gjykata i jep edhe 30 ditë afat Prokurorisë Speciale që të plotësojë aktakuzën në rastin “Veteranët”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), do të ketë edhe 30 ditë kohë për të plotësuar aktakuzën në rastin e njohur si “Veteranët”, në të cilën për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohen, Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku dhe shtatë persona të tjerë.
Një afat të tillë e ka aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi paraprakisht për një gjë të tillë kishte bërë kërkesë PSRK-ja.
Një vendim të tillë e ka marr gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, e cila më parë ia kishte kthyer këtë aktakuzë PSRK-së për përmirësim e plotësim, pasi kishte vlerësuar se e njëjta nuk ishte në harmoni me dispozitat ligjore.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për vazhdimin e afatit prej 30 ditësh për plotësimin e aktakuzës lidhur me lëndën PKR.nr.230/18. Përkitazi me këtë, ju konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e PSRK-së për vazhdimin e afatit për plotësimin e aktakuzës në fjalë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Aktakuza për veteranët e rrejshëm, për të cilën kishte raportuar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, më 14 shator, ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por, kjo gjykatë më 10 tetor, përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur, se kjo aktakuzë, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë në plotësim dhe qartësim.
Kjo, pasi siç thuhej në njoftim, aktakuza në fjalë nuk është përpiluar konform nenit 241, paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale.
“Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se lidhur me aktakuzën e ngritur kundër të pandehurve A.Ç, N.L, S.H, SH.D, Q.G, SH.B, A.D, RR.B, F.F, S.E, F.SH dhe XH.J për veprën penale nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPK-së, e pranuar në Gjykatë me datë 14.09.2018, pas vlerësimit të Kryetares së Trupit Gjykues e cila është ngarkuar me lëndën, është vendosur që aktakuza në fjalë ti kthehet në përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së, po ashtu janë dhënë dhe arsyeje lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike. Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas Kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi”, thuhej në njoftimin e gjykatës.
Por, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, më 22 tetor të këtij viti, në një prononcim për T7, kishte deklaruar se aktakuza e veteranëve, pas pak ditësh pritet të dërgohet sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Aktakuza për veteranët e rrejshëm, për të cilën kishte raportuar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi” ishte dorëzuar me disa ndryshime në Gjykatën Themelore në Prishtinë në shtator të këtij viti.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.