Drenas- Prokuroria heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit për heqje të shenjës zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për heqje të shenjës zyrtare, Berat Bequku.
Aktgjykimi refuzues ndaj tij është shpallur të premten nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi që prokurorja Nebahate Salihu hoqi dorë nga aktakuza me të cilën ngarkohej Bequku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tërheqjen nga aktakuza në fjalë, prokurorja Salihu e arsyetoi me faktin se, pas dëgjimit të dëshmisë së inspektorit të ndërtimtarisë në komunën e Drenasit, Fitim Veliqi, nuk është vërtetuar qartë se Bequku ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Veliqi u dëgjua në cilësi të dëshmitarit në fillim të seancës, para se të shpallej aktgjykimi.
Veliqi deklaroi se gjatë inspektimit në ditën kritike, kanë qenë disa punëtor dhe vëllai i Shaip Bequkut, për të cilin nuk i kujtohet emri.
Kurse pas vendosjes së shiritit, ai deklaroi se ka shkuar i pandehuri, si përfaqësues i familjes dhe ka nënshkruar.
Mirëpo, dëshmitari tha se nuk e ka parë të pandehurin duke i kequr shenjat.
“Kemi hapur rast se është dëmtuar shenja, e është punë e policisë që ta hetoi se kush e ka dëmtuar. Pra unë nuk e kam parë Berat Bequkun duke hequr shenjat”, tha dëshmitari Veliqi.
Bazuar në këto deklarata erdhi edhe deri te shpallja e aktgjykimit refuzues për të pandehurin.
Berat Bequku akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se më 16 shkurt 2016, në rrugën “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”, gjatë inspektimit të objektit në ndërtim, pronë e Shaip Buqukut, kanë konstatuar se i njëjti ka hequr dhe larguar shenjën zyrtare të vendosur paraprakisht nga zyrtari i autorizuar i komunës së Drenasit, më qëllim të sigurimit dhe ndalimit të punimeve në objektin e cekur.
Për këtë veprim, prokuroria e ngarkonte Bequkun me veprën penale “heqje apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi