Drenas: Mungesa e palës së dëmtuar dhe dëshmitarëve shtyn gjykimin ndaj të akuzuarve për vjedhje pylli

Sërish ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj të akuzuarve për vjedhje pylli, Behar dhe Zeqir Ademi.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të premten ka qenë mungesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Ismet Shala, shef i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik Pyjor në Komunën e Drenasit si dhe dëshmitarët Ajet Krasniqi dhe Hamdi Bujupi, roje pylli në Komunën e Drenasit.

Gjykatësi Shefqet Baleci, tha se për të njëjtit ka prova se kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

E pranishme në seancë ishte prokurorja Nebahate Salihu.

Gjykata seancën e radhës e caktoi më 29 janar 2019, nga ora 9:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Zeqir Ademi dhe Behar Ademi, të cilët i akuzon se më 24 shkurt 2018, rreth orës 11:30, me qëllim të vjedhjes, në vendin e quajtur te “Banderi”, “Lugu i Mollës”, objekt pyjor i Çyçavicës në Drenas, të pandehurit janë hasur duke prerë dru pa leje paraprake nga organi i autorizuar, Drejtoria  për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik Pyjor, Autoriteti Pyjor, Komuna e  Drenasit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë prerë 710 copë dru,  të llojit “Bung”, me gjatësi rreth 8m, me diametër mesatar 10-26 cm, vëllimi i përgjithshëm 41.35m³, me ç´rast në bashkëkryerje të dëmtuarës Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik Pyjor, Autoriteti Pyjor të Çyqavicës, i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 5.293 euro.

Më këtë në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “vjedhja e pyllit” nga neni 358 parag 2, lidhur me prag 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë