Drenas: Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se ka poseduar …

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Albion Bardiqi.
Ndaj tij u shpall dënimi me gjobë në vlerë prej 300 euro, të cilën shumë nuk do ta paguajë nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Bardiqit u shpall të premten, nga gjykatësi Daut Behrami, pasi i akuzuari paraprakisht pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Nebahate Salihu, i akuzuari Bardiqi u deklarua fajtor, duke shtuar se ka qenë përdorues i marihuanës.
“Nuk jam duke e përdorë më. I kërkoj falje gjykatës. Premtoj se nuk do të kryej vepra të tjera penale apo një të ngjashme. Pranimin e fajësisë e kam bërë vullnetarisht dhe pendohem për veprën penale të kryer, ndaj kërkoj nga gjykata shqiptimin e një dënimi sa më të butë” theksoi i akuzuari.
Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Salihu, e cila kërkoi nga gjykata që i akuzuari të dënohet sipas ligjit, kurse pranimi i fajësisë të i merret si rrethanë lehtësuese.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 janar 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Albion Bardiqit, me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, me arsyetimin e i njëjti më 23 nëntor 2016, rreth orës 11:06, në Drenas, ka poseduar tri qese të vogla me substancë narkotike, të llojit kanabis (marihuanë), me peshë prej 1.9 gram.
Sipas aktakuzës, qeset me narkotikë i janë gjetur me rastin e kontrollimit në shtëpinë e tij, në lagjen e stacionit hekurudhor, nga ana e pjesëtareve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Për këtë, Bardiqi akuzohej se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi