Dështon gjykimi për uzurpimin e banesës në Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit për uzurpim të pronës së paluajtshme, Elmi Gërguri, i cili ka munguar në seancën fillestare, e paraparë të mbahet të enjten.
Gjykatësi Shefqet Baleci, ka thënë se Stacioni Policor në Drenas, ka informuar gjykatën gojarisht se i akuzuari është kërkuar më të dhënat si në aktakuzë, por nuk është gjetur.
Gjykatësi Baleci, mori aktvendim që për të akuzuarin Gërguri të lëshojë urdhërarrest.
E pranishme në seancë ka qenë prokurorja Nebahate Salihu.
Seanca është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Kjo gjykatë më 26 tetor 2018, Stacionit të Policisë në Drenas i ka lëshuar urgjencë për zbatimin e urdhëresës, pasi katër herë radhazi nuk është zbatuar urdhëresa për sjelljen e të akuzuarit në seancë, përkatësisht më 19 shtator 2017, 21 shkurt 2018, 20 korrik 2018 dhe me 11 shtator 2018.
Por, nuk është siguruar adresa dhe prania e të pandehurit në seancën e shqyrtimit fillestar dhe se policia gjykatën asgjë zyrtarisht nuk e ka njoftuar lidhur me zbatimin e këtyre urdhëresave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Elmi Gërguri, të cilin e ngarkon se nga 12 shkurti 2014 në vazhdimësi shfrytëzon dhe mban në uzurpim në mënyrë të kundërligjshëm pronën e paluajtshme të personit tjetër, banesën e cila gjendet në Drenas, Blloku V, kati II, me sipërfaqe prej 90 m2, e cila është pronë e Dragan Kushenin, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material .
Me këtë akuzohet se ka kryer vepër penale “uzurpim i pronës së paluajtshme”, nga neni 332 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi.