Gjyqi Telekom – Z-mobile, Mustafa, Qerimi e Gjonbala deklarohen të pafajshëm

Po vazhdon në Gjykatë rasti i krerëve të Telekomit të Kosovës në lidhje me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Vala. Vendimi i Arbitrazhit fajësoi Telekomin dhe detyroi atë t’ia paguajë miliona euro Z-Mobile. Kjo nuk ndodhi pasi drejtori i Valës, Agron Mustafa, i frikësohej falimentimit. Por, as detyrimi pagesës nuk u krye. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për krerët e Telekomit, dhe tani ka filluar edhe shqyrtimi gjyqësor. Sot, para Gjykatës dolën të tre dhe u deklaruan të pafajshëm.
Me të filluar seanca e shqyrtimit të dytë gjyqësor në rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare për tre të akuzuar, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, Prokuroria Speciale e cila u vë këtë akuzë, u deklaruan se kanë pranuar kundërshtimet e dërguara me shkrim të të akuzuarve, mirëpo përgjigja nga ana e saj, u tha se do të jepet pas 1 jave.
Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.
Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.
Sipas aktakuzës të PSK’së, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.
Avokati i Ejup Qerimi, tha se kanë vërejtje ndaj aktakuzës së PSK’së, sepse siç tha avokati, Qerimi ishte dashur të veçohet nga kjo procedurë. Kjo për shkak se periudha që e inkriminon Ejup Qerimin me të akuzuarit e tjerë, avokati thotë se nuk është e saktë pasi provat materiale nuk janë të përbashkëta dhe i njëjti nuk është akuzuar se veprën penale e ka kryer në bashkëkryerje me dy të akuzuarit e tjerë.
“Aktakuza ka të meta të bollshme, të cilën e bëjnë të jashtëligjshme. Nga i mbrojturi im kërkohet përgjegjësi pse nuk e ka zbatuar kontratën e cila është e lidhur në vitin 2009”, ka thënë avokati.
Ai tha se aktakuza e prokurorisë nuk i përmbushë elementet thelbësore për të qenë e tillë, duke shpresuar se kjo aktakuzë do të hidhet poshtë nga Gjykata.
Edhe avokati i Agron Mustafës, pati disa fjalë rreth aktakuzës, për të cilën tha se “nuk e ka standardin që të ngritën hetime, e lere më të ngritët si aktakuzë”.
“Të pandehurit po akuzohen për një epilog të një kontesti civil. Por, aktakuza po i referohet aktgjykimit të një pale tjetër, që e ka pas për objekt të çështjes një shqyrtim krejt tjetër prej asaj që në këtë rast, se çka ka shqyrtu Arbitrazhi”, ka thënë mbrojtësi i Mustafës.
Aktakuza thotë se i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër.
E avokati i Mustafës tha gjithashtu tha se qëndrimet e të pandehurve, janë të mbështetura në qëndrimet e zyrës ligjore të PTK’së.
“Bordi i PTK ka angazhu edhe ekspert të jashtëm ligjor, qëndrimi i tyre ka qenë që PTK nuk obligohet t’i ofrojë ato shërbime të cilat po kërkohen nga Z-Mobile”, ka thënë avokati.
Ai gjithashtu tha se Agron Mustafa ka qenë në pozitën e drejtorit në shkurt të 2015, ndërsa sipas tij, padia në Arbitrazh është bërë pas 1 muaji e gjysmë.
“Një drejtor me shkop magjik me ardhë, një problem të vjetër nuk mundet me e zgjidhe për 2 muaj”, tha avokati i Mustafës.
“Si duket, prokuroria ka ngatërru ankesën me padi”.
E vetë Agron Mustafa, në këtë seancë gjyqësore tha se dokumenti zyrtar i Z-Mobile që është dorëzuar në Arbitrazh, me datë 13 prill 2015, në mënyrë eksplicite paraqet arsyet se pse nuk e kanë të detyruar të kërkojnë nga Arbitrazhi zgjidhjen e këtij kontesti.
Me të gjitha kundërshtimet e palëve të para, u pajtua edhe avokati i Rexhë Gjonbalajt.
“Mbetem në tërësi me shkrimin e paraqitur kundër aktakuzës dhe nga seanca e sotme i mbështes kolegët, sa i përket aspektit të parregullsive proceduriale dhe ligjore të kësaj aktakuzë”, tha avokati.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër.
Avokati tha se pretendimet e prokurorisë, nuk kanë asnjë mbështetje faktike e ligjore.
“I akuzuari, ka qenë kryesues i Bordit të PTK’së, i cili ka vendosur për çështjet vetëm strategjike dhe të tjerat të cilat janë të definuara me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në statut me Kodin e Etikës së PTK’së dhe Matricën”, tha avokati i Gjonbalajt.
Ai tha se prokurori i çështjes, ka ndërmarrë vetëm një veprim hetues dhe procedurial ndaj kësaj çëshjtjeje, dhe në procedurë ka vetëm dëshmitarin Ismet Hamiti.
E vet Rexhë Gjonbalaj, u deklarua para gjykatës së Bordi i PTK’së nuk ka rrol ekzekutiv.
“Bordi i Drejtorëve punon honorar në bazë të ligjit dhe nuk është i punësuar për vendime ekzekutive. Pretendimet e prokurorit që Bordi duhet të merret me menaxhimin e kontratave janë të paqëndrueshme ngase ligji e thotë të kundërtën, tha Gjonbalaj.
E për pikat që ai akuzohet, thotë se në asnjë rast nuk ka pasur kërkesa të merren vendime nga Bordi i PTK’së, dhe kjo nuk ka ndodhur.
“Për çështjen që më akuzon prokurori, nuk ka asnjë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që Bordi të merret me një vendim të tillë, që do të quhej vendim strategjik për kontestin në fjalë”, tha Gjonbalaj.
Në dhjetor në vitit 2016, Gjykata e Arbitrazhit vendosi në favor të Z-Mobilet kundër Telekomit, për shkak se u konstatua se kompania publike nuk i ka përmbushur obligimet e marrëveshjes që ka me Z-Mobile prej vitit 2009.
Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i detyrohej Z-Mobilet me rreth 30 milionë euro, pagesa e të cilave do të vuloste falimentimin e Telekomit që edhe ashtu është e shkatërruar financiarisht.