Dorëheqje në PDK-në e Drenasit

Pas 13 vite të angazhimit në Partinë Demokratike të Kosovës, kryetari i Nëndegës në Komoran të Drenasit, Muhamer Ibriqi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në kuadër të PDK-së.
Dorëheqja në këtë kohë kur po bëhen përgatitje për të filluar zgjedhjet e brendshme në PDK, vjen si opsion i domosdoshëm për të reflektuar karshi gjithë padrejtësive që kanë ndodhur në parti.
Në letrën e dorëheqjes, Ibriqi liston një varg arsyesh që e kanë shtyrë të largohet nga partia, për të cilën thotë se u angazhua maksimalisht që të vinte në qeverisje.
“PDK, siç është bërë sot, e që ka filluar ndër vite, u shndërrua në parti të klaneve e grupeve të caktuara te interesit, duke bllokuar e ngulfatur çdo ide e aktivitet që nuk i shkon përshtati individëve të fortë në parti. Gjithçka po degradon me shpejtësi, aty nuk ka vend për njerëz meritor të dëshmuar në procese, duke instaluar një udhëheqje të tmerrshme nëpër degët e partisë në komuna dhe rrjedhimisht në udhëheqjen komunale. Nepotizmi, klientelizmi, jo meritokracia, servilizmi janë bërë dukuri normale. Tragjike kjo gjendje”, është shprehur ai.