Lladrovci falënderon asamblistët që nuk e shfuqizuan vendimin e DKA-së

Është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Drenas, e thirrur nga asamblistët opozitare për shfuqizimin e vendimit të DKA-së për mbylljen e shkollave në Abri, Godanc dhe Gjergjicë, transmeton DrenicaOnline.
Ky propozim i asamblistëve nuk ka kaluar. Është kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili ka komentuar ngjarjen e ndodhur sot brenda në Kuvend.
Statusi i plotë i Lladrovcit, i postuar në Facebook:
Sot, Asambleja komunale e Drenasit u mblodh me kërkesë të asambleistëve opozitarë, lidhur me një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e vendimit të DKA-së për mbylljen e shkollave në Abri, Godanc dhe Gjergjicë.
Ky propozim nuk kaloi. I falënderoj asamblistët komunalë për këtë vendim të drejtë, në veçanti falënderoj deputetin Nika për përkushtimin institucional dhe ligjor në komunën tonë.
Vendimi për tri paralelet e ndara, ishte vendimi më i rëndë gjatë mandatit tim, për shumë arsye. Vendimet e tilla, sado të rënda, kanë qenë të domosdoshme, për të respektuar dhe zbatuar ligjshmërinë./DrenicaOnline/