Projektligji për UÇK-në në Kuvend, deputetët akuzojnë njëri-tjetrin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë shqyrtuar për herë të parë për projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, ku tha se përcaktohet çka është vlerë e mbrojtjes së luftës; lista e armatosur e popullit të Kosovës, si dhe çështje tjera rreth UÇK-së.

Megjithatë, shqyrtimi i tij kalojë edhe me akuza dhe kundër-akuza në mes deputetëve.

Fillimisht deputeti Fadil Beka në cilësinë e propozuesit prezantoi projektligjin, duke thënë se qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e vlerave të luftës, që me sakrificën e UÇK-së, angazhimin dhe kontributi ne çmuar në luftën çlirimtare, ishte faktor vendimtar për sjellën e lirisë dhe pavarësisë për Kosovën.

“Në nenin 3 të këtij projektligji përcaktohet çka është vlerë e mbrojtjes së luftës; lista e armatosur e popullit të Kosovës e udhëhequr nga UÇK me qëllim çlirimin e Kosovës, ushtria çlirimtare, formacioni ushtarak i armatosur i organizuar në baza vullnetare në uniformë dhe shenjë dalluese me njësi organizative, me zinxhir komandues të drejtuar nga shtabi i përgjithshëm në kontrollin civil të udhëheqjes politike me mision të qartë për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe çlirimin e vendit nga forcat okupuese ushtarake dhe policore të administratës së Serbisë në Kosovë. Veterani i UÇK-së, flamuri i UÇK-së, teksti i betimit të ushtarit të UÇK-së, stema e UÇK-së, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabi i zonave operative, arkiva e UÇK-së, kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz dhe komplekse të tjera”, tha ai.

Sipas tij, me këtë projektligj në nenin 7 parashihet themelimi i muzeut të luftës me seli në Prishtinë dhe Qeveria obligohet të bëjë këtë punë.

Ai shtoi se me këtë projektligj caktohet 5 marsi data e përkujtimit të luftës për çlirim dhe ndërtimi i monumentit qendror për përkujtimin e luftës për çlirim të popullit të Kosovës.

Deputetit të Pastrisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, ky projektligj iu duke si ofendim.

“Nuk e kam të qartë cilat janë mekanizmat si do të mbrohen këto vlera. E kemi parë që pikërisht nga partitë në pushtet, e sidomos nga partia demokratike e Kosovës është dhënë kontribut më i madh që këto vlera të degradohen përgjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës”, tha ai.

Deputeti i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje, që morri pjesë Rexhep Selimi, tha se është një ligj që ka një seriozitet të vetin brenda tij dhe nuk do të duhej të radhitej sot në agjendën e punës së Kuvendit.

Këtu ka reaguar deputetja Teuta Haxhiu, duke thënë se deputeti Selimi do të duhej të jetë në sallë bashkë me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes.

“Kur Rexhës i humb rruga në oborr, edhe VV-së, se vjen këtu pa shokë me mbajt një ligj për vlerat e luftës, kur VV vjen në Kuvend vetëm për t’i mbrojt ligjet të cilat  ika 100 për qind plagjiaturë, pra këtyre vërtetë ju ka humb rruga në oborr, sepse nuk kanë participu as në rezolutat që kanë dalë prej një subjekti që kanë rrugëtuar bashkë, prej PSD-së, dhe pikërisht aty kanë ardhur në këtë situatë nuk po e dinë as vet ku janë. Pra normal që po them mos na maltretoni, dilni në byfe e bëni dialog, mirëpo nëse sot do të duhej të ishte kompetent dikush, është Rexha me shokë që do të duhej të jepte kontributin për këtë ligj por po e shihni ka mbet vetëm” tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti i tha se deputetës Haxhiu se nuk dëshiron të diskutojë me atë.

“Unë nuk dua me ra në nivelin tënd të diskutimit, nuk e kam ndërmend me ra në nivelin tënd”, tha ai.

Aty ka reaguar edhe deputeti Rexhes Selimi.

“Nuk kam ardhur të flas me nivel kaq të ulët të kolegëve dhe nuk kam ardhur të flas me aleancën as me deputetët e mazhorancës, kam ardhur të kërkojë nga ju si kryesues, meriton vërtetë një përgjigje por nuk po mundem me ta kthyer sepse me duhet me ra në nivel shumë të ulët për me ta kthyer përgjigjen”, tha ai.

Kurse, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj tha se UÇK nuk është pronë private.

“UÇK nuk është pronë private, UÇK është e popullit dhe ne udhët të rregullojmë me ligj gjithçka që është e jona, dhe është e domosdoshme sepse jo çdo kush duhet me baltos këtë emër që e ka pas UÇK dhe me ju tek kujt të donë me ardhur në minutën kur e ka rendin dhe me dal”, tha ai.

Në shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Deputeti Nait Hasani tha se nuk janë vlerësuar pasojat që mund të dalin nga ligji në fjalë.

“Akti për nxjerrjen e një ligji do të duhej të mirren parasysh edhe pasojat e atij ligji. Asnjë këtu nuk i ka vlerësua pasojat e këtij ligji që do të vijnë më tutje dhe a do të mund të përballohen ato. Megjithatë, një ligj i tillë a do t’i bëjë nder, a do të jetë i respektueshëm a do të ketë një gatishmëri e qytetarëve të respektojnë dhe institucioneve po ashtu ta bëjnë ndëshkimin. Ata që po flasin që UÇK është e këtij apo atij grupi, është e popullit burim nga populli, ka dalë në mbrojtje të popullit kështu që vlerën e saj nuk mund ta marrë asnjë grup politik, asnjë parti. Ta lëmë në mbrojtje të popullit vlerën e UÇK-së” tha ai.

Deputeti Milam Zeka foli për numrin e vogël të deputetëve në sallë, përfshi ata të pozitës, dhe tha se asnjëherë më parë pozita nuk ka qenë në gjendje më të vështirë se tani.

“Vetëm ligji i cili do të aprovohej nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, me iniciativën e Nait Hasanit, ligji për anti-shpifje do t’i mbronte vlerat e UÇK-së…..Nëse rezonojmë politikisht por pa inate politike, kurrë pozita nuk ka qenë në opozitë më të keqe, më të rëndë e më të vështirë. Nuk e kemi komoditetin me u konfrontu me opozitën, sepse nuk jemi mazhorancë, fati ynë është që më zibidi se ne janë opozita, ne jemi të rrëzuar, ata janë të vdekur, xhenazja nuk mund edhe të rrëzum me të mshu shkelm e me të gju në llagen. Diferenca mes pozitës e opozitës është kjo , ne të rrëzum përtoke, ata xhenaze. Ne e dimë që me fytyrë sot është duke na shpëtuar PSD që po rrinë me ne në sallë, me bo Zoti mu idhnu ata, me dalë edhe ata prej sallës ne tani nuk kemi çka rrimë këtu, nuk i kemi numrat”, tha ai.

Pas këtij diskutimi, Kuvendi vazhdoi me pikat e tjera të rendit të ditës, meqë nuk ka kuorum për votim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë