Nis rigjykimi kundër Enver Sekiraqës, sot dëshmoi shoku i Triumf Rizës

Rigjykimi për Enver Sekiraqën ka nisur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe shoku i policit të vrarë, Triumf Rizës. Gazmend Hoti ka rrëfyer para trupit gjykues për ditën kur Riza u vra, për krismat që i kishte dëgjuar dhe për bisedën që e ka pasur me viktimën para se të dëgjoheshin breshëri plumbash. Për Gazetën Express ka folur edhe avokatja e Sekiraqës, e cila ka potencuar se dëshmia e dëshmitarit nuk ishte relevante për akuzën që ngarkohet i mbrojturi i saj.

Ka disa muaj që rasti i Enver Sekiraqës është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi Themelorja e shpalli atë fajtor në vitin 2016, nën akuzat për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.

Sekiraqa atëkohë u dënua me 37 vjet burg, mirëpo pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim.

Të mërkurën është mbajtur seanca e parë e rigjykimit, pas seancës fillestare, ku u dëgjua dëshmia e shokut të Triumf Rizës.

Dëshmitari, Gazmend Hoti, në gjykatë ka treguar për shoqërinë që e ka pasur me Triumf Rizën si dhe për atë çka kishte parë në ditën kur Riza humbi jetën.

Gazeta Express ka kontaktuar me avokaten e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, e cila tha se dëshmia e dëshmitarit në gjykatë nuk ishte relevante.

“Nuk ka dhënë ndonjë dëshmi relevante lidhur me akuzat që e rëndojnë Enver Sekiraqën”, ka thënë Kelmendi për Express.

Dëshmitari Hoti, i cili deklaroi para trupit gjykues së ishte shoku i ngushtë i Triumf Rizës, ka përshkruar ditën kur shoku i tij ishte vrarë.

Në ditën kritike, dëshmitari rrëfeu se paraditen e asaj dite kishte shkuar në Pejë, për t’u kthyer më pas në Prishtinë, për shkak se ishte në punë.

“…unë u nisa nga Peja dhe mbërrita për një orë e gjysmë në Prishtinë. Aty u takova me shokun tim Triumfin, patëm një bisedë shoqërore më kujtohet se dy herë kemi dalë në marketin e afërm dhe kemi blerë akullore pas asaj unë dola ta përcillja shokun tim”, ka rrëfyer Gazmend Hoti para trupit gjykues.

Ai gjithashtu tregoi edhe për të shtënat e armës që kishte dëgjuar momentin që u nda nga shoku i tij dhe momentin kur e kishte parë Triumf Rizën të gjunjëzuar.

“Gjatë kthimit tim në lokal dëgjova të shtëna rafall, të shpejta, dikush nga stafi bërtiti Triumfi, kur dola unë jashtë pashë një person me kapelë duke ikur në tunelin e afërm, Triumfi ishte i gjunjëzuar dhe me stafin tim dhe disa klientë e morëm dhe e dërguam në emergjencë. Pasi doktorët e trajtuan pas 10 minutash, ata na treguan se Triumfi ka vdekur”, tha dëshmitari.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Enver Sekiraqa, kur kërkoi nga Gjykata e Apelit që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri, pati deklaruar se “asnjëherë nuk do të gjendet asnjë provë që do të vërtetohet fajësia ime”, për të cilat u pat dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

E në tetor të të njëjtit vit, Sekiraqa u lirua nga paraburgimi dhe masa iu zëvendësua në arrest shtëpiak. Por, tri ditë më pas, sërish u kthye në paraburgim, pasi shkeli masën e arrestit shtëpiak të cilën ia kishte caktuar gjykata paraprakisht.

Arsyeja e kthimit në paraburgim ishte për shkak të një fotografie, të postuar në Facebook, një orë pas lirimit të tij.

“Janë fotografuar në shtëpinë e tij, një orë mas lirimit duke e postuar në Facebook dhe më këtë e ka shkelë masën e arrestit shtëpiak, për arsye se e ka pasur të ndalur të kontaktojë më persona tjerë përveç anëtarëve të familjes”, pati deklaruar avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

Për lirimin e tij nga paraburgimi pati reaguar ashpër edhe Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duke thënë se vajzat e Prishtinës gjatë viteve 90’ta më shumë janë frikësuar nga Enver Sekiraqa se sa nga Policia e Serbisë.

“E mbajë mend fare mirë, gjatë viteve të 90’ta, vajzat e Prishtinës më shumë kanë pas frikë nga Enver Sekiraqa, se nga policia e Serbisë. Një kriminel ordiner, i përfshirë në dhunime, zhvatje, vrasje, sot është i lirë (kjo puna e burgut shtëpiak është hajgare). Nga gjyqtarë të EULEX dhe të Kosovës. #Marre”, pati shkruar Çitaku.

Megjithatë, Sekiraqa qëndroi pak ditë në arrest shtëpiak, kështu për t’u kthyer në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës, natën e 20 nëntorit të vitit 2017.

Enver Sekiraqa është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, më 30 gusht të vitit 2007 me 37 vjet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë