Thaçi takon Erdoganin në SHBA, tregon çka biseduan

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se ka kërkuar mbështetjen e Erdoganit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL , transmeton Indeksonline.
Më poshtë postimi i Thaçit:
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, zhvillova një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët.
E falënderova presidentin Erdoğan për mbështetjen që Turqia po i jep Kosovës në procesin e rritjes së njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të posaçëm në Interpol, me synim për t’i mundësuar Kosovës që të kontribuojë më shumë në rritjen e sigurisë globale.
Gjithashtu, e informova presidentin Erdoğan lidhur me fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast homologu turk shprehu mbështetjen e tij për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme midis dy shteteve. /Indeksonline/