Mobilizohet Drenasi në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, edhe Komuna e Drenasit në bashkëpunim me gjitha institucionet publike dhe OJQ, kanë pastruar hapësirat publike në komunën e Drenasit, ku janë grumbulluar mbeturina në të gjitha institucionet publike dhe në të gjitha vendbanimet e komunës së Drenasit, duke filluar nga qendra e Drenasit dhe vazhduar përgjatë aksit rrugor Drenas -Skenderaj, Drenas-Komoran, Drenas-Malishevë (përgjatë autostradës Prishtinë-Pejë) dhe Drenas–Shtime,transmeton Drenica Online.

Në këtë aktivitet morën pjesë: Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, Shefi i Kabinetit, Flamur Curri, Drejtor të Drejtorive Komunale dhe zyrtarë komunal, përfaqësues nga KFOR-LMT K9 në Drenas, pjesëtarë të Stacioni Policor në Drenas, Kryqi i Kuq, Shërbimi i Zjarrfikësve, Bashkësia Islame, punëtor të Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, Klubet e Gjelbërta në Drenas, Green Art Center-Prishtinë, CEAD dhe OJQ që veprojnë në Drenas, vullnetarë dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i përshëndeti dhe i falënderoi të gjithë vullnetarët që iu bashkuan këtij aksioni. “Si rezultat i implementimit të këtij projekti nga komuna, ne do të shpërblehemi me grand i cili është i paraparë të ndahet nëpër komuna të Kosovës dhe grandi i përgjithshëm është në vlerë prej 1.2 milion euro” theksoi Kryetari Lladrovci.

Ai gjithashtu tha: “Sot, me bashkëpunëtorë iu bashkova aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” sepse mjedisi i pastër është treguesi themelor se çfarë jemi e sa punojmë për të tashmen e të ardhmen e qytetarëve dhe vendit tonë. Ta mbajmë mjedisin dhe vendin tonë të pastër çdo ditë, sepse, çdo ditë jemi këtu dhe e duam atë çdo ditë, ujin, ajrin, tokën!”

Aksioni ka filluar nga sot, më 15 shtator 2018 në grumbullimin e mbeturinave ndërsa më 17 shtator 2018 do të filloj eliminimi i deponive të egra në të gjitha vendbanimet e Komunës së Drenasit dhe do të vazhdon deri me 30 shtator 2018, për implementimin e këtij projekti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë