Nënkryetari Gani Sylaj takon kryetarët e fshatrave për mobilizim të aktivitetit “Ta pastrojmë Kosovën”
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj se bashku me Drejtoreshën e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi, të enjten kanë pritur në takim kryetarët e fshatrave të Komunës së Drenasit, me të cilët kanë bashkëbiseduar për angazhimin e tyre dhe qytetarëve tjerë ne aksionin për pastrimin e ambientit me moton “Ta pastrojmë Kosovën”, transmeton Drenica Online.
Kryetaret e fshatrave e kanë mirëpritur këtë aktivitet dhe janë zotuar se do të jenë pjesë e kësaj nisme për të kontribuar ne ruajtjen dhe pastrimin e ambientit ne territorin e Komunës së Drenasit.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të mbahet me datën 15 shtator 2018 ( e shtunë) dhe fillon nga ora 10:00, ndërsa këtij aktiviteti do t’i bashkëngjitën; zyrtarët komunal, KFOR—LMT K9 në Drenas, Stacioni Policor në Drenas, Kryqi i Kuq, shërbimi i zjarrfikësve, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, nxënësit e shkollave, Klubet e Gjelbërta në Drenas, Green Art Center-Prishtinë, CEAD dhe OJQ të tjera, bashkësitë lokale, kryetar të vendbanimeve qytetarë dhe të gjitha institucionet lokale.
Aktiviteti do të fillojë në qendër të qytetit, në sheshin “Fehmi Lladrovci” dhe do të shtrihet ne të gjitha fshatrat e Komunës së Drenasit, ku do të angazhohet kompania publike KRM “Pastrimi” me makineri për bartjen e mbeturinave të grumbulluara nga vullnetarët pjesëmarrës ne këtë aktivitet.
Ndaj, Komuna e Drenasit edhe një herë përmes kësaj shkrese, ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjitën këtij aksioni.




