Pushimet verore të QKUK-së kanë ndalur hetimet rreth vdekjes së 19 vjeçarit nga Drenasi

Pushimet verore të stafit të QKUK’së e kanë ndalur punën e hetimit të rrethanave të vdekjes së 19 vjeçarit, Drin Leku, i cili kishte ndërruar jetë më 8 gusht në këtë institucion shëndetësor.

Familjarët e të ndjerit kanë deklaruar se ai vdiq nga mostrajtimi i duhur mjekësor. Ndërkohë hetimet për këtë punë kanë nisur nga Prokuroria si dhe nga Inspektorati Shëndetësor i MSH’së. Por së fundmi Inspektoratit e la ndërprerë punën hetimore.

Një 19 vjeçar nga komuna e Drenasit, i operuar nga zorra qorre dy vjet më parë, iu drejtua Qendrës Klinike Universitare të Kosovës këtë muaj. Pas trajtimit në spital,19 vjeçari vdiq me datën 8 të këtij muaji në QKUK. Familjarët e Drin Lekut po thonë se ai nuk e ka marrë trajtimin e duhur nga personeli mjekësor. E për këtë punë Inspektorati Shëndetësor tashmë i ka nisur hetimet për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e vdekjes së 19-vjeçarit.

Por, puna nga ky institucion shëndetësor është ndalur për shkak të pushimeve të stafi mjekësor të këtij institucioni.

Kryeinspektorja në MSH, Ardita Baraku, ka deklaruar për Express ka thënë se janë në fazën e grumbullimit të provave.

“Inspektimi për rastin në fjalë ka filluar, por ende jemi duke grumbulluar prova (deklarata të mjekëve të cilat vonohen për shkak të pushimeve vjetore, raportit të mjekësisë ligjore dhe të dhënave të tjera relevante). Pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave në dispozicion, do të lëshohet raport inspektimi në të cilin do të rekomandohen masat përkatëse”, sqaron krye inspektorja.

Ajo thotë se në këtë fazë është herët për të folur për ndëshkim të ndonjë profesionisti shëndetësor.

“Sapo të dalë raporti i inspektimit, mund të prononcohemi për gazetën tuaj”, arsyetohet zyrtarja e MSH’së.

Prokuroria e shtetit dhe policia, thonë se janë duke e pritur raportin final autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për këtë punë. Nga këto institucione hetimore thonë se pas raportit do të merren veprimet e tjera hetimore.

“Prokuroria është në pritje të autopsisë dhe më pas do të ndërmerren veprime tjera hetimore”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë