Haradinaj në prani të Edi Ramës: Nuk i ndryshojmë kufijtë!
Kryeministri Ramush Haradinaj po merr pjesë në konferencën e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, nikoqir i së cilës është kryeministri shqiptar, Edi Rama. Haradinaj në prani të homologëve të tij kujtoi se Kosova i ka kufijtë e vet dhe si të tillë nuk do të ndryshohen.
Nga Durrësi dhe në prani të kryeministrave të tjerë të Ballkanit, Haradinaj komentoi edhe njëherë deklaratat e fundit rreth kufijve, shkruan Gazeta Express.
“Kosova i ka kufijtë e vet me Serbinë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk kemi nevojë për dizajnim të ri”, tha kryeministri Haradinaj.
Ky reagim i Haradinajt vjen pas intensifikimit të përpjekjeve të presidentit Hashim Thaçi për të çuar përpara idenë e tij për t’i lëvizur kufijtë.
Më herët është raportuar se propozimin e korrigjimit të kufijve që shihet si ndarje e Kosovës, e ideuar nga Thaçi dhe Aleksander Vuçiqi, përkrahet edhe nga Edi Rama. /Express/


