19 vjeçari nga Drenasi vdes pas operimit, familja fajëson mjekët

Nëntëmbëdhjetë vjeçari Drin Leku nga fshati Baincë i Drenasit ka vdekur mbrëmë pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mjekët e kësaj qendre po fajësohen nga familjarët për pakujdesi dhe neglizhencë ndaj djalit të tyre. I ndjeri qe tri vite kishte pasur probleme me apendicit apo siç njihet në popull me zorrën qorre. Babai i Drinit, Rrustemi thotë se javën e fundit e kishte dërguar disa herë të birin për kontrollë në QKUK, por përkundër dhimbjeve të vazhdueshme, mjekët nuk e ndalën në spital, pasi konsideruan se nuk është e nevojshme.

Leku thotë se pas insistimit të tij, mjekët e kishin futur në operim të birin, tashmë të ndjerë

“Kur e kanë bërë operacion thanë se e ka gjendjen e rendë shumë, thanë ky e kish pasë një problem kur u hy në operacion, kish pas thyerje të zorrëve edhe më nuk kanë punu”, ka thënë Leku për Televizionin 7.

Babai i të ndjerit thotë se po të operohej me kohë, tani djali do të ishte i gjallë.

“Këto shkaqe kanë ardhë për shkak të vonesës. Dy ditë përpara ta ndalshin ka pasë mundësi djali me shpëtu para se me iu infektu zorrët. Këta që e kanë ba operacion nuk kanë pasë faj, po këta që nuk e kanë rrokë në dorë edhe që e kanë ba gabimin para dy vite e gjysmë”.

Babai i Drinit të ndjerë, kërkon që rasti të zbardhet sa më shpejt nga organet përgjegjëse ku edhe e ka lajmëruar rastin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë