Fundi i dramës në Lepenc, për dy policët megjithatë mbesin ende pikëpyetje

Dhjetë ditë pasi u bë e ditur se dy policë të Kosovës kanë rënë në lumin e rrëmbyeshëm të Lepencit, ka marrë fund drama e tyre duke u gjetur trupat e tyre. I fundit, Armend Trena, është gjetur sot ndërsa polici Malësor Dashi u gjet javën që shkoi. Kërkimet për trupa e tyre nuk kaluan pa zhurmë.
Malësor Dashi dhe Armend Trena, dy policë nga Kaçaniku, 10 ditë më parë kishin rënë në lumin lepenc me vetrurë, ende në rrethana të paqarta. Trupat e pajetë të të dy të rinjve janë gjetur në rrjedhat e lumit Lepenc, i fundit, trupi i policit Armend Trena, është gjetur sot, raporton Gazeta Express.
Por, mbetet ende pikëpyetje se si ranë dy policët në ujë, për të gjetur vdekjen, derisa ishin duke lëvizur me veturë policore në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka thënë se po pret rezultatet e ekzaminimit të veturës policore me të cilën dy policët dyshohen se dolën nga rruga për të rënë në lum, mbrëmjen e 29 prillit, derisa po ktheheshin nga transportimi i një të dyshuari në arrest-shtëpiak.
Rezultate priten edhe nga raporti i mjekësisë ligjore e cila mund të zbulojë se si ka vdekur Malësor Dashi, polici që u gjet i vdekur në lum, në ditën e gjashtë të kërkimeve, javën që lamë pas.
E ndërkohë, 10 ditë pasi qëndroi i zhdukur, të hënën pasdite, FSK ka njoftuar se është gjetur edhe trupi i pajetë i Amrend Trenës.
Kjo ngjarje për 10 ditë ka mbajtur në dramë gjithë vendin. Por, edhe ka shkaktuar një përplasje deklaratash nga larg. E protagonist kryesor i saj ka qenë pikërisht Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Express.
Ai në mënyrë fyese e quajti “plak” zhytësin Ismail Kasumi, i cili kritikonte punën e zhytësve të policisë dhe FSK’së. Haradinaj i kishte bërë thirrje Kasumit që sa flet nga Prishtina më mirë të shkojë në Kaçanik të kërkojë dy policët që atëkohë ishin të zhdukur.
E, përkundër përplase Kasumi iu përgjigj ftesës për tu angazhuar si zhytës në gjetjen e dy policëve në lumin Lepenc, e që pikërisht një ditë më pas u gjet Dashi i pajetë.
Për tu gjetur trupat e dy policëve, javën që shkuar është devijuar edhe rrjedha e lumit Lepenc, për të ulur nivelin e ujit në këtë lum të rrëmbyeshëm.