Kufoma në makinë, kosovari hyri i vetëm në Shqipëri më 29 prill
Makina me targë të Kosovës 02 960 SN hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës më 29 prill. Sot, më 5 maj, automjeti u gjet i shkrumbuar mes barishteve në një tokë, në fshatin Derven të Fushë-Krujës, rreth 250 metra larg rrugës kryesore të automjeteve. Brenda saj u gjet i karbonizuar një trup i pajetë njeriu.
Policia e ka të pamundur të identifikojë se për kë bëhet fjalë, madje është i padallueshëm nëse trupi i përket një femre apo një mashkulli, për shkak se është shkrumbuar totalisht.
Rezultatet e analizës së AND-së pritet të nxjerrin se për kë bëhet fjalë.
Express mëson se ky automjet ka hyrë në territorin shqiptar më 29 prill dhe në të ka udhëtuar i vetëm, Xhafer Osmani nga Mitrovica, i cili rezulton të jetë edhe pronari i makinës.
Nuk dihet ende nëse viktima ka mbetur Osmani, apo nëse bëhet fjalë për person tjetër.
Në një prononcim që pati më herët me Express, drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe, tha se policia dhe prokuroria e Durrësit është duke bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës, për shkak se lidhja e vetme që bëhet me këtë shtet janë targat.
“Specialistët për Krimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për identifikimin e personit të djegur dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes”, tha Policia në një njoftim paraprak.
Nuk dihet ende nëse personi është vrarë më parë me armë zjarri, apo nëse është djegur i gjallë brenda automjetit.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen.


