Fëmijët e dëshmorëve në Drenas themeluan organizatën e tyre
Në Drenas, bijtë e bijat e dëshmorëve, kanë mbajtur një takim solemn, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari Kadri Veseli dhe Bekim Jashari. Ata themeluan organizatën e Fëmijëve të Dëshmorëve të Republikës së Kosovës, “Atdheu”.
“Dëshmorët e kombit dhe Familjet e tyre, janë begatia më e madhe e atdheut tonë. Ashtu siç dëshmorët tanë, dje, morën përgjegjësinë për sakrificë në rrugën e lirisë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sot bijtë e bijat e tyre, janë shembull duke e vijuar rrugën e lavdisë së prindërve të tyre, me studime, punë dhe angazhime për të mirën e atdheut dhe qytetarëve”, ka thënë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Sipas tij, patriotizmi në çdo familje atdhetare nuk pushon kurrë por vetëm ndërron trajtën dhe mënyrën e manifestimit të tij. Sot, secili në punën e tij, me ndërgjegje duhet t’i shërbej kësaj fryme të patriotizmit, duke respektuar ligjin dhe duke e bërë atdheun tonë, sa më të begatë e më të mirë për të jetuar!
“Të pranishmëve që themeluan organizatën e cila në të ardhmen i bashkon ata, Organizata e Fëmijëve të Dëshmorëve të Republikës së Kosovës, “Atdheu”, ju ofrova përkrahje të pakursyer, në misionin e tyre fisnik, të prezantimit të vlerave dhe çështjeve me rëndësi të familjeve dhe fëmijëve të dëshmorëve, jo vetëm në Drenas, por kudo që gjenden ata, brenda mundësive dhe kompetencave ligjore. Ju paçim! Suksese!”, ka thënë Lladrovci./DrenicaOnline/

