Punësimi i një anëtari të secilës familje: Limaj dhe Reçica vazhdojnë takimet me qytetarët

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se MPMS është e përkushtuar në zbatimin e normave ligjore dhe hartimin e politikave në rritjen e punësimit. Duke mos qenë të kënaqur me aq sa është bërë deri më tani për këto familje, ministri tha se është parë e nevojshme të niset me këtë projekt të rëndësishëm.

“Papunësia në Kosovë nuk do të mbetet vetëm brengë e juaja, kjo tashmë është brengë dhe përkushtim i yni, që ta luftojmë dhe mposhtim bashkërisht. Ju ftoj që këtë takim ta shohim bashkërisht si një partneritet i përbashkët, me qëllim të zbutjes së papunësisë”, tha ministri.

Ky projekt, sipas ministrit, shkon përtej politikave të MPMS-së për punësim dhe ka përkrahje të fuqishme nga qeveria e vendit, veçanërisht nga zëvendëskryeministri Limaj.

“Një numër i konsiderueshëm i përfituesve, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike nuk kanë mundur të përgatiten profesionalisht. I ftoj të gjithë që të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional, për të marrë trajnimet e nevojshme në një mori profilesh që ofrohen aty”, tha Reçica.

Ministri tha se QAP-at janë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u aftësuar në një laramani profilesh që ofrohen në këto qendra dhe për t’u bërë pjesë e tregut të punës.

Reçica tha se, MPMS është në kontakte të vazhdueshme edhe me biznese dhe ndërmarrje të ndryshme të cilat kanë shfaqur gatishmërinë që të ofrojnë mundësi punësimi. Gjithashtu MPMS është duke punuar intensivisht me disa shtete të BE-së për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të qytetarëve tanë.

“Rritja e punësimit është ndër prioritet tona kryesore dhe nuk do të lejojmë që të ketë familje pa asnjë të punësuar”, tha ministri.

Ministri tregoi se në fillim të këtij viti, me vendim qeverie është rritur asistenca sociale për 20% në kuadër të përpjekjeve për të rritur sado pak mirëqenien sociale dhe përpjekjet do të vazhdojnë edhe me angazhime tjera konkrete, kurse prioritet është rritja e punësimit.

Paraprakisht, Ministri Reçica dhe zëvendëskryeministri Limaj ishin takuar me familjet përfituese të asistencës sociale në komunat, Suharekë dhe Prizren, ndërkaq këso takimesh do të vazhdojnë edhe në komunat tjera të Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë