Qeveria nuk jep datë për procedimin e Projektligjit për FSK-në

Krijimi i ushtrisë së Kosovës vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë.
Kjo e fundit pritet që më 30 prill t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për krijimin e ushtrisë. Të paktën kështu është paraparë në programin legjislativ për vitin 2018.
Të kontaktuar nga Lajmi.net, zyrtarë të Qeverisë nuk kanë përmendur datë se kur do të ndodhë procedimi i këtij Projektligji.
“Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që ushtria të bëhet me ndryshime kushtetuese”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas tyre, ushtria e Kosovës do të bëhet pasi që ka vullnet të plotë të qytetarëve dhe partnerëve strategjikë të Kosovës.
Gjasat që ushtria e Kosovës të themelohet me ndryshime kushtetuese janë të pakta, pasi Lista Serbe vazhdimisht deklarohet kundër.
Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime dhe Siguri, ka thënë për Lajmi.net aktualisht është i pamundur ndryshimi i mandatit të FSK-së.
“Tani është e pamundur që FSK-ja të ndryshojë mandatin e saj dhe të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese shkaku i hezitimit të deputetëve të Listës Serbe për të votuar në favor të këtij ndryshimi”, ka thënë Perteshi.
Serbët e Kosovës ditë më parë u kërcënuan nga drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, pasi ky i fundit i paralajmëroi se nëse bëhen pjesë e ushtrisë kosovare do të dënohen sipas ligjit penal të Serbisë ku pjesëmarrja në formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri me 10 vjet burgim.