Ramiz Lladrovci: Hafir Shala ishte frymëzimi jonë i atëhershëm

Në Sallën e Kulturës në Drenas, të martën është mbajtur akademia përkujtimore, kushtuar 20 vjetorit të zhdukjes nga policia serbe, veprimtarit, humanistit, patriotit, Dr.Hafir Shala.

Në këtë akademi, kanë marrë pjesë, kryeparlamentari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ish-kryeparlamentari Jakup Kransiqi, familjar, bashkëveprimtar të Doktor Shalës dhe mijëra qytetar.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar lartë jetën dhe veprimtarin humane të doktor Hafir Shalës, duke theksuar se “Doktori ishte frymëzimi jonë i atëhershëm për vullnetin dhe humanitetin që paraqiste për vendin, kushdo që ka moshën mbi 25 vjet në Drenas, ka prekur dorën e doktorit. Vetëm pse ishte frymëzim i atdhedashurisë, forcat serbe e larguan nga ne, për të mos u kthyer tash e 20 vjet.

I bëjë thirrje organeve të hetuesisë në vend dhe me tej, që sa më shpejt të zbardhin fatin e doktor Hafir Shala”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se “janë mijëra qytetarë të Kosovës, për fatin e të cilëve Serbia duhet të flasë, ta tregojë të vërtetën për zhdukjen e tyre dhe të japë llogari që ne mesin e tyre është edhe Hafir Shala, doktori që ndihmoi në shërimin e plagëve të para të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u rrëmbye 20 vjet më parë. Asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari drejtësi deri të zbardhet fati i të pagjeturve tanë”, ka thënë Veseli.

Të pranishmëve i është drejtuar edhe Jakup Krasniqi, djali i Hafir Shalës dhe bashkëveprimtari Bytyqi.

Në fund të akademisë është shfaqur për herë të parë edhe dokumentari kushtuar jetës dhe veprës së Dr. Hafir Shala.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë