“Kosova, vendi me më së paku persona të prekur me kancer”

Drejtor i Klinikës Onkologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë se Kosova është vendi me më së paku persona të prekur me kancer.
“Në vitin 2017 në Kosovë me dy milionë banorë i kemi 1570 raste të reja. Në vitin 2017 në Maqedoni janë regjistruar 6 mijë raste të reja me kancer, që është shtet po ashtu me 2 milionë banorë. Ndërsa në Slloveni, po në këtë vit janë regjistruar 15 mijë raste të reja me kancer”, ka thënë ai në Puls të KTV’së.
Sipas tij, në Kosovë më i përhapuri është kanceri i gjirit, i mushkërive pastaj i zorrëve.
“Në vitin 2013 i kemi pasur 700 raste të reja të kancerit, viti 2014 ishin 770 raste të reja me kancer, viti 2015 808, viti 2016 janë 1238 raste me kancer, dhe në vitin 2017 u regjistruan 1570 raste me kancer”, ka thënë ai.
Sipas analizës së tij, nuk ka rritje reale por është shtim i raportimit dhe avancim i shërbimeve shëndetësore.
“Në vitin 2017 po paraqiten pacientë në stade më të hershme ku mjekimi është më i suksesshëm”, ka thënë Hyseni.