Protestat studentore të 81-ës vulosën të ardhmen – thotë Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në përvjetorin e 37-të të protestave të vitit 1981 se ato nuk ishin vetëm një simbolikë e shprehjes së pakënaqësie për gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare.

Sipas tij ato kanë një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet, përcjell Klan Kosova.

“Ajo e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik, çështja e së cilës do të duhej të shtrohej për një zgjidhje përfundimtare dhe se kundër këtij fakti nuk kishte asnjë alternativë konformiteti”.

“Sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet t’i nderojmë dhe kujtojmë me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë, të cilët e patën një vizion të tillë dhe që me mund e sakrificë vulosën të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit”.

Veseli thotë se tash garancia e atyre përpjekjeve është rinia e Republikës së Kosovës, janë qytetarët e saj të cilët çdo ditë që sipas tij forcojnë integritetin e lirisë dhe i japin kuptim ndërtimit të shtetit demokratik.

“Ky vizion duhet të na përcjellë edhe më tutje, veçmas tani kur kemi hyrë në Dekadën e Re, dekadën e besimit në vlerat demokratike, dekadën e zhvillimit dhe mirëqenies, dekadën e integrimit në familjen evropiane”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë