Nëntë vjet nga vdekja e ish kryetarit të Drenasit, Halil Halilaj

Sot nëntë vjet më parë, ka ndërruar jetë Halil Halilaj. Ai ka qenë kryetar i Drenasit, veprimtar politik dhe pak para vdekjes ishte gjykatës i Gjykatës Supreme të Kosovës. Në përvjetorin e vdekjes së tij, familjarët e kujtojnë me mall atë:
IN MEMORIAM – Halil Halilaj
Sot e 9 vite më parë, më 7.3.2009, trungut familjar të farefisit tonë Halilaj, iu thye dega më e madhe, me ndarjen nga jeta e intelektualit tonë të madh, eruditit dhe korifeut të drejtësisë kosovare, Halil Halilajt !
“Tuj u tall’ e tuj pritue
Kurrgjasend nuk qitet n’drite
Çfarëdo sendi me fitue
Trimni lypet e guxim”!/Mjeda/
Pikërisht trimeria dhe guximi nuk i mungonin, përkundrazi ato ishin të ngulitura thellë në karakterin e tij. Ai nuk gjente arsyetime për problemet, por vetëm rrugë të zgjidhjes. Përkushtimi dhe dija e tij bënte që asgjë të mos duket e pamundur dhe çdo sfidë të jetë një mundësi e re, e jo një pengesë e pakalueshme! Njerëzit që janë të lindur për lider dhe tribun popullor paraqesin dhe mbrojnë haptazi bindjet e veta, edhe kur ato shkaktojnë kundërshtime. Oratoria dhe fuqia e argumentimit bënin që edhe kundërshtarët e ideve tua të të respektonin! Në një kohë të pakohë, duke qenë djalosh i shkolluar e me edukatë të lartë, veprove në një mes ku atëbotë dominonte analfabetizmi, shto këtu grupacione “hienash” e fundërrinash rankoviqiste! Edhe sot,60 vite më pas, përmendet karizma dhe metoda jote e udhëheqjes në komunë dhe kudo ku veprove. Emri yt edhe sot e përjetë na bën nder, lavdi e krenari kudo ku përmendesh! E, shembëlltyra e një intelektuali që haset rrallë, siç ishte axha Halil, e bën atë të pavdekshëm ndër shekuj e gjenerata. Njerëzit e mëdhenj si ai, të këtij vendi të vogël, nuk vdesin kurrë dhe kanë veç ditëlindje. Jeta dhe veprat e tij na bëjnë krenar që jemi farefis dhe nga i njejti trung, duke qenë gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm çfarë njeriu të madh patëm në mesin tonë. Pema e jetës së tij nuk vyshket kurrë, sepse fjalët dhe këshillat e tij jetojnë në secilin prej nesh. Orët e ditët e kaluara me Ty ishin gëzim e kënaqësi, prandaj lum ne dhe familja që patëm fatin të jetojmë me Ty!