Kryetari Lladrovci mori pjesë në kampanjën “Shtegu i Shpresës”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladorvci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari, kanë marr pjesë, njëherit edhe kanë hapur vrapimin “shtegu i Shpresës” i cili është mbajtur për nder të 20 vjetorit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që është organizuar nga Kosova Trail Running Association KTRA.
“Shtegu i Shpresës” ka nisur në Prekaz, në kompleksin e Jasharajve ku edhe është bërë hapja. Me rastin e hapjes së kësaj kampanje të vrapimit, Rifat Jashari ka dhuruar flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës, Arineta Mulës, drejtoreshës së Kosova Trail Running Association, si simbolik për fillimin e Shtegut, pastaj kanë nderuar varrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari me një minutë heshtje dhe kanë vënë kurora lulesh.
Ne këtë aktivitet merrnin pjesë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, pjesëtar të ambasadave në Kosovë, pjesëtar të FSK-së, Policisë së Kosovës, mjek, vrapues dhe shumë qytetarë te tjerë.
Në ora 12:40, filloi vrapimi 14 km, deri në Kompleksin e varrezave në Likoshan dhe pastaj vrapimi 100 km, për të vazhduar deri në fund të shtegut në Koshare.
Pas përfundimit të vrapimit 14km në Likoshan, Kryetari Lladrovci dhe Jashari, kanë ndarë medaljet për vrapuesit të cilët përfunduan vrapimin 14 km.
Në fund Kryetari Jashari, Lladrovci, ambasadori O’Conell, dhe drejtoresha, Mula vendosen kurora lulesh në Kompleksin e varrezave në Likoshan.