Lladrovci ka një porosi për deputetët

Deputetët e Republikës së Kosovës, sot, më shumë se kurrë, duhet të mbajnë anën e të ardhmes, anën e të vërtetës, jo të kauzave politike të sajuara që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit. Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Drenasit, ish deputeti Ramiz Lladrovci.
Ai thotë se mospajtimet mund të sqarohen, sipas propozimeve të ofruara në Kuvend. Ka kohë për to! Demarkacioni, duhet të kalojë.
“Besimi ynë në qëllimet tona, kurrë nuk duhet të vihet në dyshim, përkundrazi, çdo ditë do të fuqizohet duke i kontribuar zhvillimit të vendit dhe hapjes së perspektivës për të qytetarët tanë”, ka thënë Lladrovci.
Kështu, sipas tij, fuqizojmë edhe besimin e ndërsjellë me partnerët tanë që na ndihmuan në momentet më të rënda të kombit tonë, kur ishim buzë shfarosjes.
“Secili nga ne e di se gjithandej, shteti ynë kufizohet me shqiptarë. Historia ishte e padrejtë, por sot, ne me votën e deputetëve, do t’i japim elementin thelbësor shtetësisë tonë, përcaktimin e sovranitetit”, ka shkruar Lladrovci në profilin e tij në facebook.
Ankesa për padrejtësitë, për një shekull okupim, sipas kreut të Drenasit, nuk kemi mundësi tash t’i korrigjojmë. As vendimet e fuqive të mëdha, dje.
Në fund ai thotë se ka besim se deputetët do të marrin vendim të drejtë dhe t’i japin vendit perspektivë!/DrenicaOnline/