Ambasada gjermane: Kalimi i Demarkacionit, hap vendimtar për vizat

Ambasada Gjermane në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të arrijnë një konsensus për ta ratifikuar sot Marrëveshjen me Malin e Zi. Ajo thotë se ky është një hap vendimtar drejt arritjes përfundimtare të heqjes së vizave.

Thirrje të pandalura janë duke bërë ambasadat e huaja në Kosovë që t’i jepet zgjidhje pas tre vjetësh demarkimit Kosovë – Mal i Zi.

Sot, për Gazetën Express, kësaj thirrjeje i është bashkëngjitur edhe Ambasada Gjermane.

Këta të fundit e ritheksojnë edhe një herë rëndësinë që ka zgjidhja e kësaj situate për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për vizat.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit është një hap vendimtar drejt arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus”, shprehet kjo Ambasadë.

Tutje e bëjnë të ditur se arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kërkoi nga anëtarët e Parlamentit që në seancën e sotme të votohet kundër izolimit dhe pro të ardhmes për vendin.

Nga ana tjetër, seanca është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00. Nuk dihet nëse janë arritur votat e nevojshme për ta kaluar marrëveshjen.

Memli Krasniqi, nga PDK-ja tha të martën, se janë siguruar 78 vota, derisa theksoi se duhen edhe dy vota.

Po në këtë ditë, në Kosovë do të qëndrojnë shefja e BE-së, Federica Mogherini, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë