AKR-ja ia bën numrat Bekim Jasharit

Kuvendi i Skenderajt në vazhdimin e tretë të seancës së 30 janarit ka miratuar propozim-vendimin e kryetarit Bekim Jashari për shpallje në interes publik të 36 hektarëve tokë në Marinë për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike.

Më në fund ka përfunduar mbledhja e Kuvendit të Skenderajt e filluar më 30 janar, vazhdimi i së cilës kishte dështuar një javë më parë në mungesë të kuorumit, ndërsa të mërkurën tre asamblistët e AKR-së ishin ata që ndihmuan kryetarin e Skenderajt Bekim Jasharin që të mos dështojë edhe vazhdimi i dytë i mbledhjes së 30 janarit, në të cilën nuk ishte arritur të miratohet propozim-vendimi i Bekim Jasharit që një hapësirë prej 36 hektarësh, ish-pronë e ndërmarrjes shoqërore “Produkti”, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja të shpallen në interes publik për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike.

Të mërkurën, në vazhdimin e tretë të mbledhjes në Kuvendin e Skenderajt janë kthyer edhe asamblistët e PDK-së, krahu i Sami Lushtakut, këshilltarët e LVV-së dhe të IQ “41000”, por GP-ja e PDK-së bashkë edhe me dy këshilltarë të LVV-së dhe një të IQ “41000” kanë braktisur mbledhjen në kohën kur është dashur të votohej për propozim-vendimin e kryetarit Jashari, shkruan tutje “Zëri”.

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari edhe një herë ka sqaruar se Zona e Lirë Ekonomike në Marinë në sipërfaqe prej 36 hektarësh është interes i qytetarëve të Skenderajt, ndërsa ka konfirmuar se ka të gatshme listën e kompanive që janë të interesuara të vendosen dhe të investojnë në këtë Zonë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë