Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e ish-zyrtarëve të Komunës së Drenasit të dënuar për keqpërdorim detyre

Prishtinë – Gjykata e Apelit, ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi si dhe të ish-shefit të Inspeksionit, Halil Vrellaku, të cilët ishin shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Apeli, kështu ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësit të të akuzuarës Xhemajlaj-Thaqi, avokatit Gazmend Halilaj dhe ankesën e të akuzuarit Halim Vrellakut, kundër aktgjykimit dënues të gjykatës së shkallës së parë.

Sipas aktvendimit të Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, lënda është kthyer në rigjykim vetëm sa i përket të akuzuarve Hyrije Xhemajlaj-Thaqi dhe Halim Vrellaku, kurse pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pa ndryshuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 gusht të këtij viti, e kishte dënuar me 10 muaj burg të akuzuarën Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, pasi ajo ishte shpallur fajtore për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Halil Vrellaku për të njëjtën vepër ishte dënuar me një vit burgim me kusht, mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohej, nëse në periudhën prej dy vjetësh, i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin bërë të dy të akuzuarit.

Ankesat e mbrojtësit të të akuzuarës Xhemajlaj-Thaqi, avokatit Halilaj dhe të akuzuarit Vrellaku, Apeli i ka aprovuar si të bazuara.

Sipas vlerësimit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të cilat janë të ndërlidhura me bazën ankimore, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas Apelit, shkalla e parë ka qenë e detyruar në aktgjykim të vërteton se cilat kanë qenë veprimet e të akuzuarve nëse pretendohet se e kanë kryer veprën penale për të cilën janë shpallur fajtor, e jo si në rastin konkret kur gjykata ngel pranë dispozitivit, i cili sipas Apelit, është në kundërshtim me vetveten dhe me gjendjen faktike.

Gjykata e Apelit, në arsyetim thekson se shkeljet e theksuara procedurale dhe mangësitë tjera në drejtim të vërtetimit të drejtë dhe në mënyrë të plotë të fakteve me rëndësi në këtë çështje, vejnë në mëdyshje aktgjykimin e ankimuar edhe përkitazi me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Apeli, gjithashtu ka hudhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarve se prokuroria është dashur të hedh poshtë kallëzimin penal për shkak se nuk është vepruar konform neni 82 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës,  pasi sipas Apelit, aktakuza e prokurorisë në këtë rast është ngritur brenda afatit ligjor.

Në rigjykim, Gjykata e Apelit e udhëzon gjykatën e shkallës së parë, që ti mënjanoj shkeljet esenciale, lëshimet lidhur me vërtetimin dhe vlerësimin e drejtë të gjendjes faktike, të tregoj qartë se cilat kanë qenë veprimet apo mos veprimet e të akuzuarve për veprën penale e cila ju vihet në barrë si dhe kush është dashur të marrë vendimin për rrënimin e objektit që përshkruhet në aktakuzë.

Në fund të vendimit të Apelit thuhet se meqenëse aktgjykimi është anuluar, ankesa e mbrojtësit të akuzuarës Thaqi, avokatit Gazmend Halilaj dhe e të akuzuarit Vrellaku, sa i përket vendimit mbi dënim, tani për tani është jo lëndore.

Në seancën e mbajtur më 12 dhjetor, në Gjykatën e Apelit, mbrojtësi i të akuzuarës Xhemajlaj-Thaqi, avokati Gazmend Halilaj kishte thënë se akuza e prokurorisë ka qenë e pasafatshme pasi që prokurori ka qenë i detyruar që brenda 30 ditëve pas pranimit të kallëzimit penal të merr aktvendim për fillim të hetimeve apo të hudh kallëzimin penal.

Sipas Halilajt, prokurori nuk e kishte bërë asnjërën e as tjetrën, mirëpo kishte ngritur aktakuzë 176 ditë, pas dy viteve të lejuara për ngritjen e akuzës.

Halilaj, gjithashtu kishte thënë se në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një pengesë tjetër procedurale të karakterit absolut, pasi që kjo çështje sipas tij, është gjykuar njëherë dhe se ka një aktgjykim të formës së prerë ku pronari i firmës që ka kryer ndërtimin pa leje është dënuar nga gjykata.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Halil Vrellaku, para kolegjit të Gjykatës së Apelit kishte thënë se, nuk ka përfituar asgjë si dhe nuk është dëmtuar askush nga ndërtimi pa leje që  përshkruhet në aktakuzë, andaj për këto arsye dhe rrethanat e tjera të paraqitura në ankesë, i njëjti kishte kërkuar të lirohet nga akuza.

Në këtë rast, të akuzuar kishin qenë edhe Izet Kukaj i cili nga shkalla e parë ishte liruar nga akuza “uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme” si dhe Musli Ademi për të cilin prokuroria ishte tërhequr nga akuza.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendonte në aktakuzën e saj se, Izet Kukaj, në mënyrë të kundërligjshme e në vazhdimësi ka uzurpuar katin nën kulm në bllokun banesor nr.V, në rrugën “Adem Malaj” dhe “14 Qershori” në Drenas, pronë e komunës së Drenasit, në atë mënyrë që ka hequr kulmin e ndërtesës dhe në këtë hapësirë në sipërfaqe prej 1800 metra katror, ka ndërtuar një kat nën kulm, me gjithsej 14 banesa.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyrije Xhemajli-Thaçi, akuzohej se duke qenë në pozitën e drejtoreshës së Inspeksionit Komunal në bashkëpunim me Halil Vrellakun, shef i Inspekcionit, i kanë sjellë fitim të kundërligjshëm organizatës “Elita A” me pronar Agron Kukaj, edhe pse të njëjtit kanë qenë në dijeni se janë bërë ndërtime pa leje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë