E mërkura në Kosovë: Ngjarjet kryesore të ditës

Çfarë do të ndodhë më 7 shkurt në Kosovë?
Një ditë pas publikimit të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, do të paraqesë qëndrimin zyrtar të dikasterit që ajo drejton përkitazi me raportin e Brukselit.
Hoxhaj do të mbajë të mërkurën një konferencë për media, ku pritet të bëjë thirrje që institucionet e vendit t’i kryejnë sa më shpejt detyrat e veta, në mënyrë që vendi të integrohet sa më herët në BE.
Gjatë ditës, do të ketë zhvillime edhe në Kuvendin e Kosovës. Të mërkurën do të mbajnë mbledhje disa komisione parlamentare.
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të raportojë komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, për raportin vjetor të punës për vitin 2017.
Ndërkaq, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e tij, do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, dhe Projektligjin për Masat Mbrojtëse në Importe.
E, në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të bëhet shqyrtimi i raportit të auditimit për PVF-të e Ministrisë së Shëndetësisë, shqyrtimi i raportit të auditimit për PVF-të e SHSKUK-së, dhe shqyrtimi i raportit të performancës për Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ unik të Integruar Shëndetësor.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione do të dëgjojë një raportim të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, lidhur me çështjen e nostrifikimit të diplomave dhe zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurse, Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, në mbledhjen e tij, do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror.
Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë një konferencë për media, në selinë e saj. Nuk dihet arsyeja e thirrjes së kësaj konference, dhe as se kush do të jenë folësit.
Po ashtu, të mërkurën, në Prishtinë do të mbahet një konferencë për hapjen e një projektit të binjakëzimit, i financuar nga Bashkimi Evropian, me temën: “Mbështetje në fuqizimin e kapaciteteve të sistemit të prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë”. Përfitues i këtij projekti është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.
Ndërkaq, në Gjakovë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do të takohet me kryetarin e komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Bashkë me ministrin Lekaj, pritet që në takim të marrin pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj; ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj; si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
E, Kolegji UBT, përkatësisht Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës dhe Fakulteti i Energjisë Efiçiente, organizojnë në Prishtinë forumin profesional akademik, me temën “Çështjet urbane mjedisore, ndotja e ajrit në Prishtinë dhe më gjerë”.
Panelistë të këtij forumi do të jenë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Komisionit Evropian, ambasadat, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe njohës të fushës përkatëse.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, do ta bëjë hapjen e Kuzhinës Qendrore, të bartur në objektin e ri, mbrapa çerdhes në Ulpianë.