Këshilltari i Thaçit nga Drenica tregon se si vendoset kufiri me Kanun

Ismail Syla, njëri nga këshilltarët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfrytëzuar Kanunin për të treguar se si vendoset një kufi, e që më pas ai “përligjet” nga palët ka u koritur.

Në profilin e tij në Facebook, Syla ka shkruar se Kanuni i Lekë Dukagjinit i njeh kanunët e viganëve, shkruan AktivPress.

“Kufijtë e fituar me gjak, me gurapesh e sëpatë ia shporrin marren edhe korinë atij që hise i ra. Dalin përtej inatit të Kanunit të Lekë Dukagjinit. I njeh Kanuni i Viganëve, Superfuqitë e Mëdha”, ka interpretuar Syla, Kanunin.

Ai ka postuar edhe pjesën e Kanunit ku i referohet çështjes së kufirit.

Në të, shihet se ka bërë disa ndërhyrje me shkrim, ku mes tjerash ka shkruar se “shteti nuk të korit”.

Syla e ka bërë postim në ditën kur në Kosovë pritej të vinte kryeministri i Malit të Zi, e ku temë diskutimi pashmangshëm do të ishte edhe kufiri mes dy shteteve.

Presidenti Thaçi e mbështet marrëveshjen e cila buron nga puna e komisionit shtetëror të udhëhequr nga Murat Meha, pasi vet është nënshkrues i asaj marrëveshjeje.

Por kundër kësaj marrëveshjeje është kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili insiston se Kosova nuk ka tokë për të falur.

Ai pretendon se shteti i humb mbi 8 mijë hektarë nëse Kuvendi e ratifikon marrëveshjen e arritur gjatë bashkëqeverisjes PDK-LDK.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë