Beteja e Koshares vendimtare për lirinë e Kosovës

Është mbajtur manifestimi ‘Ditët e Shqipes’ në përkujtim të 18-vjetorit të Betejës së Koshares.
Me këtë rast qindra qytetarë, krerë të shtetit, kryetarë të komunave, bënë homazhe pranë varrezave të Koshares.Me këtë rast, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se para 18 viteve në Koshare ka filluar zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta” duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të UÇK-së.Sipas presidentit, Kosova për herë të parë ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare për të vendosur për vetveten në konferencën e Rambujesë, ku është krijuar baza ushtarake për të filluar intervenimi i NATO-s.
Sipas tij, fillimi i bombardimeve kishte krijuar një situatë të re në Kosovë, ku UÇK-ja ishte mobilizuar së bashku me popullatën në mbrojtje të atdheut.Fushatën e bombardimeve të NATO-s sipas Presidentit Thaçi, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të vazhduar së dëbuari masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta.Në këto rrethana sipas Thaçit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës me kuadrot e veta elite hartoi operacionin ‘Shigjeta’, faza e parë e së cilit filloi këtu 18 vite më parë në Koshare.
Po ashtu, presidenti i vendit tha se operacioni “Shigjeta” kishte edhe misionin e bashkëveprimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Kosova gjatë dy dekadave të fundit ka pasur shumë procese të rëndësishme transformuese. Po ashtu, ai tha se ajo që është e sigurt është se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj.
Ndërsa, Kryeministri I Kosovës, Isa Mustafa, heqjen me luftë të kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë e konsideron si një prej fitoreve më domethënëse të luftës së UCK-së.
Kryeministri Mustafa, tha se partneriteti me SHBA-të është garanci e realizimit të aspiratave të Kosovës për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen. Po ashtu, ai tha se është edhe garanci që Kosova do ta ketë Forcat e Armatosura të saj.
Mustafa theksoi se Beteja e Koshares ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik dhe vendimtar e ka luajtur ‘Brigade 138’.Ndërsa, në emër të ‘Brigadës 138 Agim Ramadani’, Rrustem Berisha, tha se është e pamundur të flasësh për luftën e UCK-së e të mos përfshihet beteja e Koshares.Ai tha se planin për thyerjen e kufirit e ka përgatitur shtabi i grupit të tretë operativ nën udhëheqjen e Agim Ramadanit.
Kurse, Bukurie Grajqevci, nënë e dëshmorit Burim Grajqevci dhe motra e dëshmorit Fitush Kukaj, tha se nuk mërzitet pasi që e di që dëshira e tyre ka qenë që Kosova të jetë e lirë.
Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”. Është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të ‘99-së, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.




