Shtyhet për afat të pacaktuar seanca për ‘të vdekurin’ e gjallë

Ka dështuar nisja e shqyrtimit të dytë gjyqësor ndaj dy ish-gjyqtarëve që në mënyrë të pa ligjshme kishin shpallë të vdekur Rrahim Bajramin.
Kësaj radhe ka munguar prokurori i shtetit. Kryetari i Trupit Gjykues, Elmaz Elezi tha se mungesa e prokurorit nuk lejon mbarëvajtjen e seancës, dhe ajo shtyhet në afat të pacaktuar, raporton KTV.
Kjo gjë nervozoi avokatin e palës së dëmtuar, Ragip Zenelin i cili tërhoqi vërejtjen se shtyrja e seancës në afat të pacaktuar, është shkelje e dispozitave ligjore dhe mund të përkthehet në zvarritje edhe për 8 vjet të tjera.
Por kryetari i trupit Gjykues hoqi përgjegjësinë nga gjykata. Ai tha se i ka shkruar prokurorisë së shtetit për mungesën e prokurorit, pasi edhe seanca e kaluar ishte shtyrë për këtë shkak.
Ai bëri të ditur se nga sot do t’i shkruajë prokurorisë që hartoi aktakuzën asaj të Prizrenit dhe vetë kryeprokurorit Aleksadër Lumezit.