Rrezalla 18 vjet pa më të dashurit e tyre (Video)

Pamje të tmerrshme, por që tregojnë shumë.

Janë nga masakra në fshatin Rrezallë. Personi që flet është Komandant Malush Ahmeti.

Më 5 prill bëhen 18 vjet nga masakra që ndodhi në fshatin Rezallë, të Komunës së Skenderajt, ku u masakruan 98-të civil pleq, gra e fëmijë për të cilët sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre.

Kjo është vetëm njëra ndër masakrat që janë bërë nga policia, ushtria dhe paramilitarët serb, nga regjimi i Sllobodan Millosheviq në krye me Lubisha Dikoviç.

Kjo masakër është fakt i pa mohuar që ka bërë ushtria dhe policia serbe me paramilitarët e saj.

Për këtë masakër ka dëshmitarë të gjallë që kanë shpëtuar nga kjo masakër por edhe dëshmi tjera që tregojnë ngjarjen, masakrën dhe zhdukjen e tyre që është bërë.

Kjo video tregon qartë ku flet Malush Ahmeti,  i cili kishte qëndruar jo më larg se 300 metra nga vendi ku këto forca mundoheshin ti fshihnin gjurmët e këtij gjenocidi serb.

Familjarët e të vrarëve kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të bëjnë rishkimin e Gjykatës Speciale dhe të ndjekin fajtorët.

Familjet e viktimave të masakrës në Rezallë, vitin e kalaur kanë ngritur ankesë penale kundër shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq.

Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë, ka qenë komandant i brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave.

Ankesë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, familjarët kanë ngritur edhe kundër Dejan Rangjelloviqit, i cili në atë kohë ka komanduar me batalionin e dytë të brigadës së njëjtë.

Të dy ata konsiderohen përgjegjës për vrasjen dhe masakrimin e 41 civilëve shqiptarë në vitin 1999.

Avokat në emër të familjarëve të viktimave të masakrës është Arianit Koci.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka deklaruar se posedon dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë kanë marrë pjesë ushtarët e brigadës së 37-të të ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ka qenë Lubisha Dikoviq.

Forcat serbe, ditën e 5 prillit të 99-ës, i mblodhën të gjithë banorët civil të fshatit Rezallë, shtëpi për shtëpi, e i dërguan në një shtëpi, afër së cilës edhe u bë ekzekutimi. Ishte shtëpia e Hashim Dërgutit. Gjatë tërë ditës i maltretuan e i fyen me fjalë. Disa edhe i rrahën. Vazhdimisht iu bënin pyetje për UÇK-në. Aty iu thanë se kishin në plan t’i ekzekutonin të gjithë. Por në minutat e fundit me një urdhër nga lartë, i lëshuan gratë dhe fëmijët. Burrat i vendosën në një lëndinë jashtë atij oborri. Aty edhe i ekzekutuan një për një.

Nga masakra e Rezallës, e kryer me 5 prill të 99-ës, nga ushtria serbe u ekzekutuan 98 persona, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth. Aktualisht janë 16 persona të zhdukur nga fshati Rezallë, 8 prej tyre nga data e 5 prillit.

Nga të zhdukurit që u vranë më 5 prill të vitit ‘99, 28 trupa u rivarrosën dy vite më parë, 2 ishin gjetur më herët dhe për 8 të tjerë ende nuk dihet asgjë.

Ndiqeni raportin e plotë të përgatitur nga Tribuna Channel./GazetaTribuna/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë