Shtatë vjet e gjashtë muaj burgim për autorin e vrasjes së kryer më 2010
Përparim Rexhepi ka shprehur habinë kur trupi gjykues ia kumtoi vendimin prej 7 vjet e 6 muaj burgim, për vrasje të rëndë. Afër nuk e pati as avokatin, i cili disa minuta më parë doli nga salla dhe u kthye tek pasi trupi gjykues e shpalli aktgjykimin.
“Çka ndodhi, a u kry a? Hë?”, e pyeti atë avokati Ahmet Ahmeti në korridor të Gjykatës Themelore të Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Nuk e di tybe, se krejt hupa. M`doket 7 vjet e diçka po thonë që më dënuan”, iu përgjigj Rexhepi avokatit të tij, derisa po largohej me pranga në duar, i shoqëruar prej disa policëve.
Në vjeshtën e vitit 2010, në lokalin e të pandehurit të quajtur “Te Shvaba” në kryeqytet, ai e ka privuar nga jeta Fitim Gashin. Vrasja, sipas aktakuzës, ka ndodhur pas një rrahjeje midis disa personave. Të akuzuar për rrahje në këtë rast kanë qenë edhe tre persona: Avdi Gashi, Agron Gashi dhe Fejzullah Gashi. Por, të tre kanë përfituar nga amnistia.

