Gjykata Speciale sjell dhunën mes rivalëve politikë
“Pra, është maksimumi i dhunës që bëhet ndaj kundërshtarëve politik, por e vërteta është se vetëm ata që i frikësohen humbjes në zgjedhjet e ardhshme mund të inskenojnë dhe të realizojnë eventualisht dhunë ndaj aktivistëve të VV-së, me të vetmin qëllim që të tentojnë të krijojnë kaos nga frika prej Gjykatës Speciale, e cila veç sa nuk ia ka filluar të publikojë emrat e të akuzuarve”, ka thënë avokati Tom Gashi
Dhuna ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, janë tregues se fushata zgjedhore mund të përshkallëzohet në dhunë. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë politik pas rrahjese së aktivistit të LVV Agron Kabashi.
Deputetja e VV-së Shqipe Pantina ka thënë, se është e papranueshme heshtja e institucioneve ndaj rastit të fundit kur aktivisti i Vetvendosjës Agron Kabashi është sulmuar fizikisht. Ajo ka thënë, se edhe më e papranueshme është heshtja e policisë, e cila ende nuk ka dhënë shpjegime se çfarë ka ndërmarrë për zbardhjen e rastit, dhe pas publikimit të videove të kamerave të sigurisë nga Vetevendosje. “Kjo është një përpjekje për të frikësuar kundërshtarët e tyre politik e në veçanti Vetvendosjen, e cila po shënon rritje të dukshme në terren dhe tashmë është subjekti favorit për të fituar zgjedhjet. Prandaj, sulmet ndaj nesh janë rritur dhe shpeshtuar, e kjo vetëm na inkurajon që ne mos t’i ndalim përpjekjet tona, në çkapjen e shtetit” është shprehur deputetja Pantina.
Avokati Tomë Gashi ka pohuar, se sa i përket dhunës ndaj aktivistëve të VV-së kjo nuk është ndonjë risi, pasi sipas tij, nga formimi i lëvizjes VV gjithnjë është ushtruar dhunë ndaj tyre dhe thuajse nga të gjithë ata që kishin pushtet juridik apo faktik në Kosovë.

