Nga 1 prilli tarifa të reja të rrymës

Duke filluar nga e shtuna, një prill, do të ndryshojë mënyra se si qytetarët e paguajnë rrymën dhe po ashtu do të ketë rregullime të tjera, të cilat janë aprovuar në mbledhjen e pestë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Çmimet e strukturës së re paraqesin çmime mesatare të tarifave të niveleve të tanishme (tarifat e vitit 2016).
Vendimi për strukturën e re tarifore ka për qëllim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për t’i kuptuar, për të gjithë konsumatorët, dhe të krijojë përshtatje të sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut.
Përmes këtij thjeshtësimi, ZRRE synon të ju mundësojë konsumatorëve që më lehtë të kontrollojnë konsumin e tyre dhe të mund të krahasojnë më mirë çmimet që ju ofrohen nga furnizuesit e ndryshëm që pritet të hyjnë në treg.
Si rezultat i këtij ndryshimi të Strukturës tarifore të gjithë konsumatorët fundorë do të kenë një çmim të pandryshuar në aspektin sezonal, për çdo kwh të shpenzuar.