Hoti i reagon Vuçiqit: Kishim marrëveshje për Listën Srpska dhe për RYCO-n

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Rexhep Hoti, ka reaguar ndaj kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit, në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, bëri të ditur se Lista Srpska do të kthehet në institucionet e Kosovës, dhe tha se Kosova është pajtuar që Sekretari i RYCO të jetë serb.

Hoti ka thënë se lajmi për kthimin e Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës është kontribut i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Kosova dhe Serbia janë marrë vesh paraprakisht që në këmbim të rikthimit të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, Kosova të pajtohet me propozimin e pesë shteteve tjera (Shqipëri, Mali i Zi, Bosnje, Serbi dhe Maqedoni) që perfaqësuesi serb të jetë sekretar gjeneral në RYCO”, ka bërë të ditur Hoti.

“Kjo është e vërteta e çështjes në fjalë”, ka thënë zëvendësministri, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit të Serbisë se Lista Srpska do të kthehet në institucionet e Kosovës dhe se Kosova është pajtuar që Sekretari i RYCO të jetë serb.

“Natyrisht, e gjithë kjo marrëveshje nuk do të kishte mundësi të realizohej pa kontributin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë”, ka sqaruar Hoti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë