Thaçi: Do ta mbaj premtimin për dorëheqje (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se do të presin që deputetët serbë të kthehen në institucionet e Kosovës dhe t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për ta themeluar ushtrinë e Kosovës, por nëse kjo nuk ndodhë, kreu i shtetit është i bindur se këtë do ta bëjnë përmes projektligjit që ai ka iniciuar, e i cili tani gjendet në Qeveri për komente nga ana e ekzekutivit.

Në intervistën për KosovaPress, presidenti Thaçi thotë se iniciativa e tij nuk është nxitim, madje e quan të vonuar.

Ai thotë se që nga viti 2014, kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë dhe kur dështoi themelimi i ushtrisë, ka kërkuar rikthimin e kësaj çështje në Kuvendin e Kosovës, porse deputetët serbë kanë bllokuar meqë janë të urdhëruar nga Beogradi për të mos i votuar ndryshimet kushtetuese që mundësojnë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Unë jam plotësisht në favor të ndryshimeve kushtetuese, sepse do të ishte me interes të përbashkët sepse të gjithë të jemi në këtë proces vendimmarrës, por aktualisht Lista Serbe e ka thënë qartë se nuk e voton, sepse është urdhëruar nga Beogradi që të mos e votojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë dhe gjithë spektri politik do të presim deri në sekondat e fundit ardhjen e votimin e Listës Serbe për ndryshimet kushtetuese, ndërsa poqë se kjo nuk ndodhë, atëherë ne do të vazhdojmë me projektligjin që kam iniciuar”, tha Thaçi.

Thaçi thotë se bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk po pajtohet me metodologjinë e themelimit të ushtrisë, nuk e ka ruajtur dinamikën e interesimit për kthyer Listën Serbe në proceset e rëndësishme për shtet ndërtimin e vendit.

“Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka ruajtur dinamikën e interesimit për të rikthyer Listën Serbe në proces të rëndësishëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ata janë qytetarë të Kosovës, janë deputetë të Kosovës, janë legjitim, janë njerëz që kemi diskutuar privatisht dhe zyrtarisht dhe kanë deklaruar se nuk do të ishin kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës por janë të urdhëruar nga Beogradi, kështu që ne nuk mund të mbetemi peng i Beogradit, jemi vend i pavarur dhe sovran. Veprimi ynë, angazhimi ynë nuk paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon. Pikërisht MIG-at rus, aviacioni rus, armatimi rus i Serbisë, paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Kreu i shtetit thotë se SHBA tash e tri vite kanë mbështetur themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, porse serbët kanë deklaruar qartë se nuk e votojnë themelimin e ushtrinë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë