Ndërroi jetë veterani i arsimit Imer Ajazi nga Sankoci

Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare veterani i arsimit Imer Ajazi nga fshati Sankoc, komuna e Drenasit.
I ndjeri, shkollën fillore e kreu në Komoran ku mësimet e para i mori me abetaren e parë që ia solli xhaxhai i tij atdhetari Arif Shala.
Pas mbarimit të shkollës fillore regjistrohet në gjimnazin e Prishtinës dhe më pas në vitin 1954profesionin e mësimdhënësit e fillon në shkollën fillore në Likoc dhe Ticë të komunës së Skenderajt duke vazhduar më vonë edhe në fshatrat tjera të komunës së Skenderajt dhe Drenasit.
Gjatë karrierës së tij ai ka punuar me përkushtim në arsimimin e gjeneratave të reja, duke organizuar edhe kurset e të rriturve, duke luftuar për dekada me radhë në zhdukjen e analfabetizmit në trevat e Drenicës. Familja dhe farefisi e kujtojnë me pietet madhështinë dhe veprën e tij. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër më 23 mars në varrezat e fshatit të lindjes në Sankoc të komunës së Drenasit në ora 13:00./rtk/