Policia shton masat e sigurisë pas zhvillimeve të fundit

I dyshuari për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, Murat Jashari në Gjykatë kishte thënë se e ka kryer aktin për shkak të së kaluarës politike të avokatit. Madje i njëjti ditën e arrestimit kishte thënë se në listë për tu ekzekutuar ka edhe persona tjerë me pozita të larta shtetërore, siç janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa.
E menjëherë pas tentim vrasjes së avokatit Vllasi, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë ndaj personave që mund të binin viktimë e grupit të Murat Jasharit, i cili dyshohet se quhet “Syri i popullit”.
I kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka deklaruar se lidhur me rastin në fjalë, policia ka bërë publike veprimet e saja, duke përfshirë arrestimin e personave të dyshuar dhe sekuestrimin e dëshmive relevante që ndërlidhen me rastin.
Në këtë rast Policia e Kosovës nuk ka hezituar t’i shtojë masat e sigurisë edhe për personat e lartë përmendur.
“Policia e Kosovës konform hetimeve dhe vlerësimeve të saja, në koordinim dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë lidhur me rastin në fjalë ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr veprimet e mëtutjeshme policore, duke përfshirë edhe shtimin e sigurisë”, është thënë në përgjigjen e Kelanit.
Të dyshuarit Murat Jashari, dje i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Indeksonline/