Besnik Nebihu nga Drenasi shpallet “Ushtari më i mirë” në FSK

Nga data 7 deri më 10 mars është realizuar gara “Ushtari më i mirë” në kuadër të BMO-së dhe njësive të saj, ku morën pjesë 11 pjesëtarë nga njësitë e BMO-së, Regjimenti i Mbrojtjes Civile, Batalioni i Logjistikës dhe Batalioni i Xhenios.

Në ceremoninë përmbyllëse të pranishëm ishin edhe Zv. KOM FT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, ZV. KOM i BMO-së, nënkolonel Avdi Rraci, KOM i Regjimentit kolonel Shaip Haziri, komandantët e njësive të lartpërmendura si dhe rreshter majorët e këtyre njësive.

Gjeneral brigade Gëzim Hazrolli në fjalën e tij, të mbajtur me këtë rast, ndër të tjera tha: “Të  arriturat tona janë duke u vërejtur çdo ditë, falë punës dhe përkushtimit tonë nuk po na mungojnë as rezultatet. Organizimet e tilla duhet të na shërbejnë si motiv në të ardhmen. Andaj ju përgëzoj të gjithëve, ju qe keni organizuar këtë garë dhe ju që keni shprehur guximin për të marrë pjesë dhe për t’u sfiduar. Organizimi i garës “Ushtari më i mirë” është shtrirë nëpër të gjitha njësitë e FSK-së. Dua t’ju garantoj se është interesim yni që të vlerësohen kualitetet që jeni duke i treguar, ju do të jenë një udhërrëfyes i mirë në ngritjen e standardeve në kuadër të FSK-së”.

ZV Komandanti i BMO-së kolonel Avdi Rraci shtoi se gara e organizuar ka karakter sfidues dhe është realizuar edhe në kuadër të BMO-së. Prandaj synimi ynë në garën e përgjithshme është që të arrijmë rezultate sa më të mira.

Rreshter majori i parë i komandantit të FSK-së, Genc Metaj, e vlerësoi lart organizimin e kësaj gare, duke theksuar se gara “Ushtari më të mirë” do të ketë karakter ndërkombëtar dhe do të marrin pjesë edhe shumë vende tjera partnere me FSK-në, ku do të ketë edhe shtim të aktiviteteve dhe disiplinave që do të organizohen në kuadër të kësaj gare për vitin 2017.

Kjo garë është realizuar në disa lokacione në këto disiplina: Testi fizik, Navigim tokësor, Ndihmë e parë, Kalimi i zonës së rrezikshme, Hedhja e granatës, Vëzhgimi i terrenit, Marshimi  15 km me ngarkesë10 kg.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje për tri vendet e para:

Vendi i tretë i takoi ushtarit  Albert Krasniqi- Batalioni i Logjistikës
Vendi i dytë i takoi ushtarit Hazir Aliu-Batalioni i Xhenios
Vendi i parë i takoi ushtarit Besnik Nebihu-Regjimenti i Mbrojtjes Civile

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë