Thaçi: Krijimin e ushtrisë e mbështesin edhe aleatët
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se aspiratën për transformimin e FSK-së e përkrahin edhe partnerët ndërkombëtarë.
“FSK-ja do të jetë faktor i ruajtjes dhe paqes së stabilitetit në rajon dhe se nisma për transformimin e saj në Ushtri është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha presidenti Hashim Thaçi, gjatë një tryeze me temën, “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.
“Aspiratën për transformim të FSK-së në ushtri e kemi bërë të ditur për të gjithë dhe këtë e kanë përkrahur të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë duke përfshirë edhe NATO-n. Tani janë krijuar kushtet që FSK të lëviz tutje e cila tash e tri vite është e gatshme për t’u bërë ushtri”, tha ai.
Thaçi tha se është urgjente të krijohet ushtria pasi që ndikimi rus është shumë aktual duke marrë kërcënimet të cilat janë destabilizim për tërë rajonin.
Ai tha se Serbia po e dëmton Kosovën dhe dëshmia e fundit janë treni dhe muri në Mitrovicën e Veriut.
“Rruga jonë e preferuar për transformim ka qenë dhe mbetet me ndryshimin e Kushtetutës, por Lista Serbe nuk është e gatshme ta mbështes këtë nismë sepse ka urdhra nga qeveria e Serbisë”, ka thënë Thaçi.


