Shtatëdhjetë ditë të qeverisjes së Ramiz Lladrovcit
Opozita në Drenas ka vlerësuar se për shtatëdhjetë ditë të qeverisjes së tij Lladrovci nuk ka ndryshuar asgjë nga qeverisja e kaluar e Nexhat Demakut, madje ata kanë dyshime në kualitetin e punës së tij.
Fillimi i qeverisjes me Komunën e Drenasit nuk ka shkuar ashtu siç e kishte menduar Ramiz Lladrovci, kandidati i PDK-së, i cili kishte fituar në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016. Lladrovci kishte dhënë premtime të mëdha, investime në të gjitha fshatrat, ndryshme në qeverisje, sidomos në arsim dhe në shëndetësi. Ai gjithashtu kishte premtuar siguri për të gjithë qytetarët, se nuk do të lejojë korrupsionin dhe qeverisjen me ata që kanë aktakuza të ngritura.
Që në fillim Lladrovci kishte pezulluar nga puna pesë drejtorë dhe zyrtarë komunalë ndaj të cilëve kishte të ngritur aktakuza për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, në mesin e të cilëve edhe drejtoreshën e Shërbimeve Publike, Hyrie Xhamjlaj – Thaçi, motër e kundërkandidatit të tij nga “Nisma”, Isa Xhemajlaj.
Ai gjithashtu ka mbajtur premtimin se 50 për qind të ekzekutivit do të jenë femra dhe në këtë mënyrë pesë drejtori ua ka besuar femrave. Por sipas opozitës, me kaq edhe kishte përfunduar fillimi euforik i punës së tij si kryetar i Komunës.
Opozita në Drenas ka vlerësuar se për 70 ditë të qeverisjes së tij Lladrovci nuk ka ndryshuar asgjë nga qeverisja e kaluar e Nexhat Demakut, madje ata kanë dyshime në kualitetin e punës së tij. Sipas tyre, Lladrovci nuk ka fare kontroll ndaj vetes as në mbledhjet e Kuvendit, se ai e konsideron veten mbi të gjithë, ndërhyn me shkas e pa shkas në diskutimet e këshilltarëve komunalë, sidomos ndaj atyre të opozitës. “Nuk e vlerëson fare asamblistin, e përçmon, nuk ka konsideratë ndaj më të vjetërve, të vetmen fjalë që di me e thanë është ‘unë jam kryetar i të gjithëve, edhe kryetar i yti, unë ju kam mujt të tanve në zgjedhje’. Hyn në polemika me të gjithë, i mungon sensi për komunikim me njerëzit, nuk lë vend për tolerancë, as mirëkuptim për të tjerët”, thotë opozita në Drenas.
Opozitarët thonë se për 70 ditë të qeverisjes së tij kanë ndodhur disa ngjarje që bëjnë për të dyshuar në aftësitë e Lladrovcit për të qeverisur.
Njëri prej kritikëve më të mëdhenj të Lladrovcit pa dyshim është kundërkandidati i tij për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori.
“Mentaliteti qeverisës i Ramiz Lladrovcit nuk ka ndryshuar asgjë nga qeverisja e kaluar komunale. Ka dyshime në kualitetin e qeverisjes së tij, për shkak të shumë premtimeve për punësim që ka dhënë dhe të marrëveshjeve që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Drenori. Ai i ka quajtur qesharak pyetjet në testin për punësim në Komunën e Drenasit. Sipas tij, në testin për vendin e punës “zyrtar i Prokurimit” një pyetje ishte: “Kur ka rënë muri i Berlinit”. Sipas Drenorit, me këso pyetjesh Lladrovci i rehaton në punë njerëzit e tij. “Nuk e di çfarë lidhje ka një zyrtar prokurimi me murin e Berlinit, vetëm se me pyetje të tilla me shkrim, kryetar lehtë i rehaton njerëzit e vet në punë, kuptohet duke i parapërgatitur me këso pyetjesh. Ky është kryetari ynë i ndryshimeve, i cili është në borxh deri në fyt për punësime, rrugë, kanalizime, rend e pa rend, kualifikim e pa kualifikim”, ka thënë ai.
E qytetarët e Kosovës tashmë e kanë parë skenën mjaft dramatike, shqetësuese dhe dëshpëruese në një nga mbledhjet e Kuvendit të Drenasit kur kryetari Lladrovci ia kishte dëshiruar këshilltarit të LDK-së, Rifat Bilallit, vdekjen nga plumbat e policisë dhe ushtrisë serbe gjatë luftës. Por edhe Billalli, duke u përgjigjur i tha Lladrovcit se më mirë do të ishte ta merrte plumbi në ballë sesa të mbetej gjallë për të parë, siç ka thënë ai, “një qeverisje të mbrapshtë, me hajna, dalleverexhi, pisa e bashkëpunëtorë të armikut”. Bilalli i tha Lladrovcit gjithashtu se ai kishte vendosur të qëndrojë në Kosovë gjatë luftës e nuk ka dashur të ikë nëpër Shqipëri e Gjermani, siç ka bërë Lladrovci.
E asamblisti i “Fjalës” në Kuvendin e Drenasit dhe ish-kandidat për kryetar të Drenasit, Vehbi Berisha, thotë se kishte mjaftuar për ta parë qasjen e PDK-së me rastin e formimit të Komisionit për Dhënie të Pronave Komunale në Shfrytëzim, për të kuptuar se sa ata janë përjashtues për opozitën. “Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Idriz Hysenaj, me qëllim propozoi 3 asamblistë nga PDK-ja duke u përpjekur ta përjashtojë nga përfaqësimi opozitën në Komisionin për Dhënien e Pronave Komunale në Shfrytëzim, ndërsa me Ligjin 04/L-144 qartë precizohet pjesëmarrja e opozitës në Komision, sipas subjekteve të përfaqësuara në Kuvend”, thotë Berisha./Zeri/


