Krasniqi: Të mos hiqet dorë nga formimi i Ushtrisë dhe as nga mbështetja e ndërkombëtareve

Për kryetarin  e Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, inicimi i formimit të Ushtrisë nga ana e presidentit është i pakuptimtë dhe tregon se në mes koalicionit të dy partive më të mëdha politike dhe institucioneve të shtetit nuk ka komunikim normal.

Ligji për ushtrinë, sipas tij, do të duhej të bëhej nga Qeveria, edhe për faktin se ligji e ka një kosto financiare, të cilën duhet ta vlerësojë Qeveria e Kosovës.

‘Inicimi i formimit të ushtrisë me anë të ligjit, ishte i opozitës. Sikur kjo çështje të vinte nga Qeveria apo deputetët e koalicionit qeverisës do të ishte shumë më normale’, ka thënë Krasniqi në një bisedë për ‘Indeksonline’.

I pyetur, nëse duhet të hiqet dorë nga transformimi i FSK’së me anë të ligjit të sponzoruar nga presidenca pas reagimeve të  ambasadës se SHBA-ve në Prishtinë dhe Sekretarit të NATO-s, ish kryetari i Kuvendit e ka këtë përgjigje.

‘Nuk duhet të hiqet dorë as nga bërja e ushtrisë dhe as nga mbështetja e aleatëve të Kosovës siç janë SHBA, vendet e BE-së dhe NATO-ja.  Jam i sigurt se do të mund të gjendet një rrugë që kjo çështje të realizohet së bashku me ta’, ka shtuar ai.

Zyrtari i lartë i Nismës thotë se për shkak të ngecjeve dhe keqqeverisjes vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme.

‘Hilja dhe mashtrimi mes tyre është esenca e këtij koalicioni mes këtyre dy partive të koalicionit i cili edhe pse për Kryeministër ka Kryetarin e LDK-së, realisht vendi është qeverisur nga krerët e PDK-së. Kjo gjendje ka shumë arsye që vendin ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme’, ka theksuar ai.

Projektligji për transformimin e FSK’së aktualisht është duke u shqyrtuar në Qeveri. Të gjitha partitë shqiptare e kanë mbështetur rritjen e kapacitete të FSK’së./Indeksonline

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë