Surroi: Hashim Thaçi po luan me sigurinë e qytetarëve

Ish-kreu i Partisë Reformiste “Ora” dhe publicisti Veton Surroi, në një shkrim të tij pas reagimit të Ambasadës së SHBA-ve kundër Projektligjit që FSK-në e shndërron në ushtri, ka thënë se Hashim Thaçi po luan me sigurinë e qytetarëve. Ai ka thënë se Ambasada amerikane ka paralajmëruar në mënyrë të qartë për pasojat nëse kalohet ligji për FSK-në.

Siguria e qytetarëve të Kosovës prej verës së vitit 1999 e deri më sot është nën mbrojtjen e SHBA-ve dhe vendeve të tjera aleate të NATO-s. Synimi i Kosovës është që në të ardhmen kjo ombrellë e NATO-s të vazhdojë të mbrojë qytetarët e vendit, me kontributin e ushtrisë së Kosovës në të.

Kështu ka deklaruar publicisti e shkrimtari Veton Surroi në lidhje me ndryshimin e propozuar të Projektligjit të FSK-së, të cilit sot iu dha drita jeshile nga Kuvendi që të procedojë në Qeveri.

Ky Projektligj, të cilin Surroi e quan “projektligji i Hashim Thaçit”, “skajshmërisht diletant në përmbajtje, pa konsultim brenda vendit dhe pa bashkërendim me SHBA-të dhe vendet aleate të NATO-s, jo vetëm ka treguar joseriozitet të papranueshëm në një materie kaq delikate, por e ka bërë çështje diskutimi sigurinë e qytetarëve të Kosovës”.

“Paralajmërimi i Ambasadës amerikane në Prishtinë për rishikim të marrëdhënieve në sferën e sigurisë nëse kalon projektligji i PDK-së është porosi e qartë e pasojave”, ka potencuar Surroi.

Loja me sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si produkt i garave partiake, sipas publicistit Surroi, “është një veprim edhe aq më i papranueshëm”.

Ky reagim i Surroit vjen pas “goditjeve” që vendi ynë mori nga NATO dhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilat kundërshtuan veprimin e njëanshëm për ndryshimin e ligjit për FSK-së në mënyrë që t’i jepen kompetenca të ushtrisë.

Edhe NATO-ja edhe SHBA-ja përkrahin transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës vetëm me ndryshime kushtetuese.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë