Murat Jashari: E duam një Kosovë më ndryshe

Për nder të Epopesë së UÇK-së, edhe sot dyert e familjes së komandantit legjendar u hapën për mysafirët e shumtë. Mirëpo ata që nuk ia mësynë dyert e kësaj kulle ishin krerët e shtetit.

As presidenti Hashim Thaçi, as kryeministri Isa Mustafa e as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk shkuan për vizitë tek Jasharët. Madje Thaçi dje shkoi në Prekaz pa bërë bujë dhe pa i ftuar mediat siç bën zakonisht.

Nikoqiri i familjes Jashari, Murat Jashari tha se brezi i kaluar ka dhënë gjithçka nga vetja që të vijë deri tek liria, ndërsa ai tha se tash i takon brezit të ri të japë për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit.

Por sipas Jasharit, liria dhe shteti ka qenë dëshira e të rënëve të familjes por siç tha ai jo kjo liri dhe ky shtet që është sot.

“Kosovën apo vendin të cilën ata e kanë dashur ka qenë liria dhe shteti dhe ajo ekziston. A kishte me qenë dëshira që kjo Kosovë, kjo liri dhe ky shtet të jetë ndryshe jam më se i bindur që po dhe ata do ta kishin dëshirën dhe vullnetin si gjithë qytetarët e tjerë”, tha Jashari, raporton KSP. I pyetur për mos vizitën e krerëve të shtetit familjes së tij në këtë ditë të veçantë, Jashari pa përmendur askënd me emër tha se si familje nuk mbajnë inati me askënd dhe se i respektojnë institucionet kushtetuese.

“Ne nganjëherë jemi si përfaqësues të familjes Jashari dhe nganjëherë jemi qytetarë të rëndomtë. Në cilësinë e përfaqësuesit të familjes Jashari nuk guxojmë që të kemi kryeneçësi ose që të mbajmë inati dhe të tjetra ne jemi ithtarë të institucioneve kushtetuese. Pra, institucionet kushtetuese, kategoritë kushtetuese për ne janë të shenjta sepse ajo Kushtetutë është ndërtuar mbi bazën e sakrificës. Jo vetëm të sakrificës së familjes Jashari por në vazhdimësi të sakrificave dhe ne respektojmë pafundësisht institucionet kushtetuese, kurse individët ose personat të cilët udhëheqin me institucionet kushtetuese, nëse ata punojnë siç duhet do ta kenë vlerësimin tonë ose respektin tonë”, tha Jashari.

Ndërkohë që Murat Jashari ka pritur në kullë mysafirët e tij, tek varrezat e të rënëve kanë Jasharët janë nderuar nga krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, etj.
Kryeministri Isa Mustafa tha se vepra e familjes Jashari kapërcen kornizat e historive të tilla të flijimit për liri të vendit.

“Ne gjithë vlerësojmë se vepra heroike e komandantit legjendar Ademi Jasharit, Shaban e Hamëz Jasharit, Familjes Jashari, janë vepra që kapërcejnë kornizat e historive të tilla të flijimit të tillë për lirinë e vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër që meriton respekt të veçantë të të gjithëve ne, dhe para se cilës të gjithë përkulemi”, tha Mustafa.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë