Krerët e shtetit vizitojnë Prekazin, nuk shkojnë në Kullën e Jasharëve

Në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, familja Jashari ka hapur dyert e Kullës për t’i pritur vizitorët.

Qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova, politikanë e figura të tjera të njohura janë pritur sot gjatë ditës nga Murat Jashari në kullën e Jasharëve.

Por krerët e shtetit kanë injoruar vizitën te familja e heroit Adem Jashari.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari, por nuk është afruar për vizitë te kulla e tyre.

Njësoj kanë vepruar sot edhe kryeministri Isa Mustafa i cili vizitoi Prekazin dhe bëri homazhe te varrezat. Po ashtu, edhe kreu i Kvendit, Kadri Veseli, nuk shkoi në vizitë në kullën e Jasharëve.

E vendin ku mbeti i vrarë nga forcat serbe Adem Jashari me familje sot u vizitua nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, deputetët e PDK-së dhe zyrtarë të komunës së Skenderajt, zyrtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe personalitete të tjera.

Ndërkohë, asnjë pjesëtar i Familjes së Adem Jasharit nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Qeveria gjatë ditës së diel me rastin e 19-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, ndonëse të njëjtit kishin ftesë nga shteti për të qenë pjesëmarrës.

Kujtojmë se para dy viteve, më 5 mars, Bekim Jashari e kishte quajtur turp të institucioneve pse nuk kishin lejuar të intonohej himni kombëtar në ceremoninë përkujtimore për Familjen Jashari.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë